Vendosni fjalën kyçe....

Lleshaj reagon për arrestimet lidhur me tenderin e uniformave të policëve: Ministri nuk ka asnjë rol, përshëndes SPAK-un


Ish-ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka reaguar lidhur me tenderin për blerjen e uniformave të Policisë së Shtetit me vlerën mbi 2.8 miliardë lekë.

Ai u përfol shumë lidhur me këtë tender, pasi në kohën kur u nënshtrua ai ai ishte ende në detyrë.

“Duke qenë se bëhet fjalë për një procedurë hetimi në zhvillim, mendoj se kontributi më mirë i secilit është lënia e qetë e SPAK në kryerjen e detyrës së saj. Unë kam kërkuar publikisht që në shtator të vitit të kaluar që kjo çështje të hetohet. Fakti që kjo gjë po ndodh është për t’u përshëndetur, ndërsa tentativat për të bërë politikë me këtë rast janë për t’u refuzuar.”- tha Lleshaj për ABC News Albania.

Leshaj tha se ministri nuk ka asnjë rol në procedurat për shtyrjen e zhvillimit të tenderit.

“Si Ministër i Brendshëm nuk kam pasur as ndonjë shtysë personale dhe mbi të gjitha as autoritet ligjor për t’u përfshirë në asnjë procedure konkrete prokurimi. Sistemi i prokurimit në Shqipëri ka autoritetet e veta të administrimit, të menaxhimit, të kontrollit dhe të ankimimit, ku ministri nuk ka rol.”- tha Lleshaj.

Hetimet e SPAK-ut për këtë tender kanë nisur pas një kallëzimi formal nga deputetët, Myslym Murrizi dhe Halit Valteri.

Pas 10 muajsh hetime, SPAK firmosi të shtunën urdhër-arrestin për 9 zyrtarë dhe ish zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, të akuzuar për shkeljen në barazi dhe pjesëmarrje në tendera.