Vendosni fjalën kyçe....

Tenderi 25 milionë euro i uniformave të policisë, arrestohen 8 zyrtarë e ish-drejtoresha e Prokurimeve në Ministrinë e Brendshme


9 persona, mes të cilëve edhe ish-drejtoresha e Prokurimeve Publike në Ministrinë e Brendshme, janë arrestuar nga policia me urdhër të SPAK.

Operacioni ka të bëjë me abuzimin me tenderin 25 milionë euro të uniformave të policisë në këtë ministri në kohën kur ajo drejtohej nga Sandër Lleshaj.

Për tetë nga personat, Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK ka dhënë masën arrest në burg, ndërsa për Anisa Bogdanin është vendos masa arrest në shtëpi.

Mes të arrestuarve është edhe ish-drejtoresha e Prokurimeve në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari, që është larguar nga detyra tetë ditë më parë.

Zyrtarët e tjerë të arrestuar janë Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri e Klevis Hasani, anëtarë të Njësisë së Prokurimit si dhe Fatmir Demneri, Mariglen Buzali, Gëzim Mingaj e Kreshnik Bejkaj, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të ofertave. 

SPAK ka zbarkuar në Ministrinë e Brendshme e ka ushtruar kontrolle. Kontrolle janë kryer edhe në banesat e të dyshuarve.

Deri më tani policia ka ushtruar kontrolle në banesat e shtetasve Edlira Naqellari (ish-drejtoresha e Prokurimeve në Ministrinë e Brendshme), Kreshnik Bejkaj, Ani Omuri, Klevis Hasani, Anisa Bogdani, Flutura Çekrezi, Fatmir Demneri, Gëzim Mingaj dhe Mariglen Buzali.

Ata akuzohen nga SPAK se kanë shelur barazinë në tenderin e uniformave të policisë, ndërsa kallëzimi për tenderin në fjalë është bërë nga grupi demokrat i deputetëve të opozitës parlamentare.

Arrestimi vjen pak ditë pas arrestimit të ish-kryebashkiakut të Lushnjës Fatos Tushe e disa zyrtarëve të administratës lidhur me një tender 24 milionë lekë të reja për një kanal vaditës.