Vendosni fjalën kyçe....

Gafa e Tërmet Peçit, jep kontrata hidrokarbure në zonën ekskluzive të SHELL-it


Nëse e keni dëgjuar kryeministrin Rama të flasë me tone solemne për zbulime domethënëse nafte të kompanisë SHELL në Shqipëri, solemnitetin merrjani me kursim, pasi realiteti rezulton krejt komik.

Një korrespondencë e një kompanie ndërkombëtare energjie e lexuar nga Hashtag.al, ka zbuluar se kryebashkiaku i Tepelenës Tërmet Peçi ka dhënë të drejta ekskluzive për kërkime dhe zhvillime të operacioneve hidrokarbure në malësinë e Kurveleshit.

Këtë kompetencë e ka ekskluzivitet vetëm Kryeministri i vendit dhe qeveria shqiptare.

Sipas shpalljes që ka bërë Bashkia Tepelenë në vitin 2023, disa rripa toke janë dhënë me qira në individë dhe biznese vendase ku qëllimi sipas Bashkisë ka qenë shfrytëzimi I këtyre territoreve për qëllime operacionesh kërkimi hidrokarbure, apo të energjisë së rinovueshme.

Të gjithe territoret në fjalë janë pjesë e atij që njihet si blloku 4 i kërkimit dhe që është marrë koncension nga SHELL me vendim të qeverisë shqiptare.

Kontrata në fjalë për dhënien me qira të tokës i është dhënë një kompanie të quajtur “Albpower”, ndërsa përfaqësuesi i kësaj kompanie në korrespondencë me disa koorporata ndërkombëtare shkruan se kompania “Albpower” zotërohet tërësisht nga Favina Grup, në pronësi të biznesmenit Viktor Qylafi.

Dhënia e të drejtave për operacione hidrokarbure nga një kryetar bashkie, për më tepër në një territor ku kjo e drejtë i është dhënë SHELL-it përbën ndoshta aktin më spektakolar të karagjozllëkut shtetëror dhe talljes brutale me atë që kryeministri Edi Rama e quan “shansi i artë për Shqipërinë”, kur komenton aktivitetin e kompanisë SHELL. / Hashtag.al