Vendosni fjalën kyçe....

A është Amnistia pazar?


Nga Indrit Vokshi

Amnisti ka kuptimin të harrosh, rrjedh nga fjala greke “amnesia”.

Amnistia përdorej si mjet për stabilitet social; shteti “harronte” krimet e kryera nga disa grupe njerëzish. Përshembull për rebelimet kundër shtetit nxirrej amnisti dhe të rebeluarit çliroheshin nga dënimi. Kjo me qëllim për të forcuar paqen sociale e për të mos krijuar enklava anti-shtet apo shtresa shoqërore anti-shtet.

Sa më shumë represion shtetëror të ushtrohet kundër njerëzve, aq më shumë njerëz anti-shtet krijohen e aq më shumë përçarje shoqërore mbillet. Prandaj amnistia përdoret si valvul shkarkimi dhe si meremetim i marrëdhënies pushtet-qytetar.

Amnistia evoluoi dhe u shtri edhe për vepra të tjera penale përveç rebelimeve por kurdoherë në thelb ka paqen sociale.

Janë dy kushte të cilat konkurrojnë: Nevoja për amnisti dhe nevoja për të ruajtur autoritetin e shtetit.

Prandaj për t’i pajtuar dhe harmonizuar këto dy qëllime, sot shteti përzgjedh për të amnistuar disa vepra penale të lehta të cilat nuk kanë ngarkesë emocionale në shoqëri, nuk shkaktojnë zemërim social e as e dobësojnë autoritetin e shtetit.

Fjalavjen, genocidi dhe krimet kundër njerëzimit nuk lejohet të amnistohen sepse ato janë krime kundër grupeve shoqërore dhe amnistimi i tyre do të shkaktonte tension social, do të akumulonte mosbesim, urrejtje, lëndim dhe poshtërim; do të zgjonte ndjenja kundër shtetit dhe si rrjedhojë do ta shkatërronte krejtësisht qëllimin pse ekziston amnistia; paqja sociale.

Në marrëveshjen midis partive në Kuvendin e Shqipërisë ka dakordësi që të amnistohen edhe protestuesit anti-qeveri edhe disa zyrtarë të administratës të cilët janë proceduar apo dënuar për shpërdorim apo korrupsion, megjithëse për ata të cilët kanë merak amnistimin e të dënuarve nga GJKKO, parlamenti ua ka plotësuar dëshirën dhe nuk do t’i amnistojë.

Protestuesit në fjalë janë anëtarë apo simpatizantë të Partisë Demokratike në opozitë, ndërsa zyrtarët në fjalë janë anëtarë apo simpatizantë të Partisë Socialiste në qeveri.

Amnistia në vetvete është dhe ka qenë gjithmonë akt politik përtej formalitetit ligjor. Nëse do të shikonim vetëm ligjin formal, në ketë rast protestuesit anti-qeveri mund të mbaheshin të burgosur apo të proceduar, sepse pala socialiste mund ta konsideronte se ata janë rebeluar kundër shtetit, prandaj duhet ta vuajnë dënimin deri në fund. Ndaj nevojitet dakordësia dypalëshe.

Në Amerikë presidenti George Washington në 25 shtator të vitit 1794 dha amnisti për pjesëmarrësit në “Rebelimin e Wiskeyt”. Presidenti Thomas Jefferson në 15 tetor të vitit 1807 ishte i pari president i cili dha amnisti edhe për dezertimin. Presidenti John Adams në 21 maj të vitin 1800 dha amnisti për kryengritësit. Edhe presidenti Andrew Jackson dha amnisti për dezertimet dhe shpëtoi shumë ushtarë prej burgut dhe prej dënimit me vdekje. Ka dhjetra e qindra raste kur me akt politik grupe të caktuara njerëzish çlirohen nga përgjegjësia ligjore.

Nëse i analizojmë amnistitë amerikane, shohim se bëhet fjalë për vepra tejet të rënda si rebelimi kundër shtetit dhe dezertimi, jo për vepra të lehta si mitmarrja – siç është sot në rastin e Shqipërisë. Nga pikëpamja e një prokurori apo gjyqtari shkollar formalist, amnistitë e presidentëve amerikanë mund të quhen skandaloze, shkelje e ligjit, lirim i kriminelëve.

Mirëpo amnistia ata njerëz ka në fokus, kriminelët, të korruptuarit, hajdutët, prandaj edhe quhet amnisti. Disa sillen sikur amnistia ka në fokus priftërinjt e hoxhallarët dhe ankohen pse amnistia prek të korruptuarit dhe kriminelët.

E rëndësishme është që amnistia sot të ruajë kushtet dhe standartet globale të amnistisë, kushte të cilat kjo amnisti i ruan edhe në kuptimin e masës së dënimit që ul edhe në veprat penale apo kategoritë që prek.

S’ka dyshim se brenda një amnistie njëra palë ka më të rëndësishme diçka, pala tjetër ka të rëndësishme diçka tjetër dhe lind nevoja për negociatë. Konkretisht, pala demokrate ka të rëndësishme të amnistohen disa protestues të cilët janë demokratë, ndërsa pala socialiste ka të rëndësishme të amnistohen disa zyrtarë socialistë (për vepra të lehta). Pjesa tjetër e amnistisë është totalisht në interes publik si në kuptimin e shkarkimit social si për uljen e numrit të njerëzve nëpër burgje.

E tillë ka qenë gjithmonë amnistia, prandaj ekziston. Ka qenë pakt edhe kur presidentët Washington, Adams, Jefferson, Madison dhe Jackson, negocionin me kundërshtarët dhe jepnin amnisti për ta.

Edhe në rastin e Amerikës autoriteti shtetëror merrte atë për çka kishte nevojë, qetësinë sociale. Ndërsa të rebeluarit merrnin atë për çka kishin nevojë, lirinë, pasi ata ishin disa dënuar me vdekje, disa me burg, disa ishin në kërkim. Për të përfituar, përfitoi edhe shoqëria amerikane.

Amnistia e sotme nuk ka asgjë skandaloze. Është diçka tejet e zakonshme brenda kritereve të amnistive. Ketë debat e ka hapur një grup i vogël politik i cili e quan pazar të ndryrë konspirativ gjoja për të liruar të korruptuarit që ndiqen prej SPAK e GJKKO.

Kjo është gënjeshtër sepse në draftin e paraqitur në parlament shkruhet se nuk përfitojnë të dënuarit nga GJKKO.

Megjithatë në një drejtim duhet të ndihemi të gëzuar e me fat; Zoti nuk ka lejuar që presidentët Washington, Jefferson, Adams, Madison dhe Jackson të jetojnë në të njëjtën epokë me Lulzim Bashën sepse ky i fundit do t’i kishte demaskuar ata në emër të parimeve euro-atlantike, duke i akuzuar për pazar anti-drejtësi.

Kështu është shmangur debati i madh i vlerave euro-atlantike pasi nuk mund të jepnin ata amnisti për rebelët dhe dezertorët në të njëjtën botë ku do ishte prezent edhe një deputet euro-atlantik.