Vendosni fjalën kyçe....

1 Maji/ Mësuesit protestë, marshim drejt Ministrisë së Arsimit


Teksa sot është 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punës, mësuesit janë mbledhur në qendër të Tiranës, ndërsa po protestojnë.

Ata kanë nisur një marshim paqësor drejt Ministrisë së Arsimit.

Mësuesit kanë zgjedhur që me banderola dhe parulla të protestojnë në këtë ditë që simbolizon më shumë të drejta për punëtorët.

 “Nuk ka arsim cilësor pa mësues të mirëpaguar!’, citohet në një prej mesazhe të protestuesve.

Sindikata e Pavarur e Arsimit ka zgjedhur që në ditën e punëtorëve të dalin në protestë për pakënaqësitë e mësuesve ndërsa njëzëri kërkojnë dyfishim të pagave me argumentin që ky profesion të zgjidhet nga maturantët, pasi degët e mësuesisë janë në rrezik.

“Duhet dyfishim i pagave që profesioni i mësuesit të bëhet profesion i kërkuar nga maturantët. Në degët e mësuesisë, në Elbasan, Gjirokastër, Shkodër, Korçë janë mbyllur fare. Degët e Matematikës, Fizikës, Kimisë, Biologjisë është një numër i vogël i studentëve që është i pamjaftueshëm për të zëvendësuar mësuesit që dalin në pension. E ardhmja e mësimdhënësve lë shumë për të dëshiruar”, tha një përfaqësues.

Arsimtarët kërkojnë rritje të buxhetit për arsimin, duke thënë se nuk mund të ketë kushte të mira pa një rritje të buxhetit.

“Ne kemi kërkuar që kryeministri të mbajë premtimin që buxheti për arsimin do jetë 5% e PBB. Kjo duhet zbatuar sa më shpejt të jetë e mundur, s’mund të ketë infrastrukturë, s’mund të ketë SMIP pa trajnuar mësuesit, s’mund të ketë laboratorë pa rritur buxhetin. Nëse s’do jetë 5% e PBB s’mund të ketë rritje pagash. Ne kërkojmë që profesioni i mësuesit të jetë i dëshiruar nga të rinjtë. Pa arsim cilësor s’mund të ketë të ardhme ky vend”, tha një përfaqësues i Sindikatës.