Vendosni fjalën kyçe....

Policia jep detaje për plagosjen në Shkodër: Polumbarët kërkojnë armën në lumin Buna


Të tjera detaje janë bërë me dije nga policia, lidhur me olagosjen që ndodhi një ditë më parë në Shkodër.

Sipas policisë, bëhet fjalë për një konflikt me motive pronësie. 50-vjeçari Gëzim Bici mbeti i plagosur, pasi u qëllua me pistoletë nga një 59-vjeçar i cili tanimë është vënë në pranga.

Dyshohet se shtetasi me inicialet H.H e ka hedhur armën e krimit në lumin Buna dhe për këtë arsye polumbarët janë duke vijuar kërkimet në lumë.

DETAJET E POLICISË

Dokumentohet ngjarja e ndodhur dje, më datë 28.04.2020, ku mbeti i plagosur shtetasi G. B., 50 vjeç.

Vihet në pranga autori i kësaj ngjarjeje, shtetasi H. I., i cili pas një konflikti për motive pronësie plagosi me pistoletë 50-vjeçarin.

Autori, me precedent penal të mëparshëm në fushën e krimeve të rënda ndaj personit.

Vijon kontrolli dhe priten polumbarët, pasi dyshohet se autori e ka hedhur në lumin Buna armën e krimit.

Falë reagimit në kohë të strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në lidhje me një konflikt që po ndodhte te Ura e Bunës dhe për pasojë ishte plagosur një shtetas, u bë e mundur që në kohë rekord të kapej dhe të shoqërohej në Polici autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje.

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit H. I., alias B. I., 59 vjeç, banues në Shkodër, pasi ky shtetas, për motive pronësie, plagosi me armë zjarri shtetasin G. B, 50 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Vijon puna për gjetjen e armës, pasi dyshohet se autori, pas plagosjes, mund ta ketë hedhur armën në lumin Buna.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Vrasja me paramendim, e mbetur në tentativë”.