Gjykata Administrative e Lushnjës ka pranuar padinë e Partisë Demokratike, duke vendosur rikthimin e menjëhershëm në detyrë të këshilltares së djathtë në Këshillin Bashkiak të Sarandës, Edlira Gjidede.
Mandati i saj ishte ndërprerë me votim nga mazhoranca lokale, një vendim që opozita e ka konsideruar që në fillim si të paligjshëm dhe politik.
Lajmi u bë i ditur nga deputetja dhe drejtuesja politike e PD-së për Sarandën, Ina Zhupa, e cila ishte e pranishme në ambientet e gjykatës së bashku me këshilltaren Gjidede.
Zhupa sqaroi se ky konflikt kishte nisur që prej muajit tetor të vitit 2024, me pretendimin e Këshillit Bashkiak se pozicioni i Gjidedes si edukatore në kopshtet e qytetit krijonte papajtueshmëri me funksionin e saj elektoral.
Përpara se t’i drejtohej rrugës gjyqësore, opozita kishte siguruar konfirmime zyrtare nga institucionet përgjegjëse të vlerësimit të konfliktit të interesit.
“Ne shkuam te Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, shkuam në ILDKPI, të dyja institucionet prodhuan shkresa zyrtare që nuk kishte papajtueshmëri të mandatit dhe konflikt interesi. Mirëpo patronazhistët në Këshillin Bashkiak të Sarandës nuk pyetën për shkresa shtetërore dhe prapë se prapë ia hoqën mandatin. Ne u detyruam të vinim të bënim një betejë ligjore në Gjykatën Administrative në Lushnjë,” – sqaroi deputetja e PD-së.
Zhupa vlerësoi punën e ndjekur në këtë proces nga avokati Marash Logu, duke nënvizuar se ky vendim gjykate nuk është thjesht një fitore personale, por një dëshmi e angazhimit të Partisë Demokratike për të mbrojtur me çdo kusht dhe deri në fund votën e lirë të qytetarëve.
Në mbyllje të deklaratës së saj, deputetja njoftoi se Edlira Gjidede do të jetë e pranishme që në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak për të vijuar opozitën e saj, ndërsa lëshoi edhe një mesazh elektoral për sfidat e ardhshme politike në qytetin jugor.
“Do ta mbrojmë votën deri në fund dhe do të jemi në një betejë shumë shpejt në zgjedhjet lokale për t’ia kthyer jo vetëm Këshillin Bashkiak, por edhe Bashkinë e Sarandës, qytetarëve të Sarandës,” – përfundoi Ina Zhupa.
