Vendosni fjalën kyçe....

SHBA trajnon zyrtarët e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për hetimet financiare kundër krimit dhe pastrimit të parave


Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka bërë të ditur se autoritetet amerikane po bashkëpunojnë me institucionet ligjzbatuese të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në kuadër të një programi rajonal që synon forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, financimit të terrorizmit dhe pastrimit të parave.

Sipas njoftimit të ambasadës, fokusi i këtij bashkëpunimi është përdorimi i teknikave dhe mjeteve të avancuara të hetimit financiar për të identifikuar aktivitetet e paligjshme, për të siguruar prova për procedime penale dhe për të goditur fitimet e grupeve kriminale.

Programi udhëhiqet nga Zyra për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë Jashtë Vendit (OPDAT) pranë Departamentit amerikan të Drejtësisë dhe financohet nga Byroja Kundër Terrorizmit e Departamentit të Shtetit.

Në kuadër të kësaj nisme, ekspertë të Hetimit Kriminal të IRS-së, agjencisë amerikane të tatimeve, kanë zhvilluar trajnime me specialistë dhe zyrtarë të vendeve të rajonit mbi teknikat e hetimit financiar dhe mbledhjen e provave.

“Zyrtarët nga Hetimi Kriminal i IRS-së shpjeguan se si të përdoren mjetet e hetimit financiar për të zbuluar aktivitete të paligjshme, për të siguruar prova për ndjekje penale dhe për të sekuestruar fitimet e përfituara në mënyrë të paligjshme,” thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së.

Sipas ambasadës, bashkëpunimi synon të forcojë kapacitetet e institucioneve të rajonit në hetimin e krimeve financiare dhe në luftën kundër rrjeteve kriminale që operojnë përtej kufijve shtetërorë.