
Shoqëria “2A Group” sh.p.k. ka reaguar publikisht në lidhje me zhvillimet gjyqësore për administrimin e interesave në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës (VIA), duke denoncuar atë që e cilëson si “anomali të paprecedentë ligjore” dhe cenim të procesit të rregullt ligjor.
Përmes një deklarate publike, kompania shprehet se deri më tani asnjë instancë e gjykatave të faktit nuk i ka dhënë të drejtë shoqërisë “Mabco Construction” S.A., ndërsa thekson se në 12 vendime të njëpasnjëshme, Gjykatat e Shkallës së Parë dhe Gjykata e Apelit kanë konfirmuar sipas saj rrezikun që i kanosej aeroportit nga “inkorporimi i strukturave të dyshimta dhe detyrimeve të paautorizuara offshore”.
Sipas “2A Group”, vendimmarrja e fundit e Gjykatës së Lartë nuk përfaqëson një zhvillim normal të jurisprudencës, por një “paradoks juridik”, pasi sipas kompanisë është përmbysur një praktikë e konsoliduar gjyqësore, pavarësisht volumit të madh të provave dhe vendimeve të mëparshme.
Në deklaratë ngrihen gjithashtu akuza për konflikt interesi në procesin gjyqësor. Kompania pretendon se kryesuesi i trupit gjykues ka pasur “raporte të afërta dhe të ngushta” me përfaqësuesin ligjor të palës kundërshtare dhe se ky fakt ishte denoncuar më herët pranë institucioneve kompetente të drejtësisë.
“2A Group” shprehet se shqetësimi i ngritur prej saj është shpërfillur dhe se procesi është orientuar drejt një rezultati të paramenduar. Sipas kompanisë, kjo situatë tregon mungesë të integritetit profesional dhe procedural në shqyrtimin e çështjes.
Në reagim theksohet se kompania do të vijojë betejën ligjore në të gjitha instancat e nevojshme, për të kundërshtuar vendimin dhe për të mbrojtur, sipas saj, një aset me rëndësi kombëtare nga interesa të dyshuara “offshore”.
Në fund të deklaratës, “2A Group” sqaron se vendimi i Gjykatës së Lartë lidhet vetëm me njërën prej masave të sigurimit të padisë dhe nuk ka të bëjë me shqyrtimin e themelit të çështjes.