Shqipëria është rreshtuar hapur dhe prerazi në krah të Bashkimit Europian dhe Ukrainës, duke iu përgjigjur me vendosmëri ultimatumit të Kremlinit për largimin e diplomatëve të huaj nga Kievi.
Përmes një reagimi zyrtar, Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi se vendi ynë nuk do të intimidohet dhe se personeli diplomatik shqiptar do të vijojë të qëndrojë në kryeqytetin ukrainas.
Hoxha dënoi ashpër qasjen e Moskës, duke nënvizuar se paralajmërimet për goditjen e misioneve diplomatike përbëjnë një shkelje të rëndë të normave ndërkombëtare.
“Kërcënimet ndaj ambasadave dhe personelit diplomatik janë shkelje e drejtpërdrejtë e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike… Shqipëria nuk do të tërhiqet. Ne mbetemi në Kiev. Ne qëndrojmë fort me Ukrainën. Dhe nuk do të intimidohemi,” – shkruan ministri Hoxha në rrjetin social X.
Ky reagim vjen pasi Moska zyrtare u kërkoi diplomatëve europianë dhe qytetarëve të huaj të braktisin sa më shpejt Kievin përpara sulmeve të reja masive të programuara ndaj kryeqytetit.
Ministri Hoxha bëri të ditur se ky qëndrim refuzues i Tiranës i është përcjellë zyrtarisht edhe ambasadorit rus në Shqipëri, duke insistuar se rruga e vetme për zgjidhjen e konfliktit është ndërprerja e dhunës dhe ulja në negociata me mirëbesim.
“Përgjigja për këtë luftë nuk mund të jetë më shumë luftë, më shumë krime ose sulme pa dallim kundër civilëve dhe infrastrukturës civile. E vetmja rrugë përpara është t’i jepet fund një lufte që nuk duhej të kishte filluar kurrë,” – deklaroi kryediplomati shqiptar.
Situata në Kiev mbetet tejet e tensionuar pas sulmeve të fundjavës së shkuar, ku u goditën zona banimi dhe mbetën të plagosur dhjetëra civilë.
Nga këto bombardime u rrezikua drejtpërdrejt edhe ambasadori i Shqipërisë në Ukrainë, Ernal Filo, pasi raketat ranë shumë pranë kompleksit rezidencial ku ai jeton.
Përballë këtyre zhvillimeve dramatike, i gjithë blloku i vendeve të Bashkimit Europian ka mbajtur të njëjtin qëndrim solidar. Ambasadorja e BE-së në Ukrainë, Katarína Mathernová, konfirmoi se prania europiane në Kiev nuk do të lëvizë, ndërsa disa shtete anëtare kanë paralajmëruar zyrtarisht Rusinë se çdo lloj goditjeje ndaj ambasadave apo personelit të tyre do të konsiderohet si një akt i mirëfilltë armiqësor.
