Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka ndezur një debat të fortë politik në vend pas deklaratave të tij se Ligji i ri për Përfaqësim të Drejtë do të shkëputet përfundimisht nga sistemi i vjetër i përqindjeve etnike.
Gjatë seancës së pyetjeve parlamentare në Kuvend, Mickoski bëri me dije se modeli i ri do të bazohet te profesionalizmi, duke refuzuar ndarjen e vendeve të punës në administratë mbi baza kombëtare.
“Shumë shpejt do të keni mundësinë në Kuvend të votoni Ligjin për Përfaqësim të Drejtë, ku përqindjet nuk janë të rëndësishme, por cilësia. Nuk dua t’i shoh njerëzit përmes përqindjeve, por përmes cilësisë dhe optikës objektive”, – deklaroi kryeministri Mickoski.
Kjo lëvizje prek drejtpërdrejt mekanizmin e njohur si “Balancuesi”, i cili u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese pas nismës së Antikorrupsionit, me argumentin se ishte abuzuar gjerësisht.
Prej dy vitesh, institucionet shtetërore në RMV funksionojnë pa një zgjidhje ligjore për këtë çështje, çka ka ngritur shqetësime të mëdha te partitë shqiptare se heqja e kuotave do të ulë ndjeshëm praninë e tyre në sektorin publik.
Aktualisht, në procedurë parlamentare ndodhen dy versione të ndryshme: ai i përgatitur nga Qeveria (i mbështetur nga koalicioni shqiptar në pushtet VLEN) dhe një draft paralel i dorëzuar nga kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela. Nga ana tjetër, opozitarja BDI e kundërshton fort projektligjin e qeverisë, duke thënë se ai nuk ka dhëmbitë e duhur ligjorë.
“Ligji nuk është i formuluar mirë dhe nuk përmban mekanizma ndëshkues për institucionet që nuk respektojnë përfaqësimin e komuniteteve. Zbatimi i tij rrezikon të mbetet vetëm në nivel rekomandimi”, – argumenton BDI.
Çfarë parashikon konkretisht projektligji i ri i Qeverisë?
Deklarim vullnetar: Sipas nenit 6, çdo qytetar ka të drejtë të deklarohet lirshëm për përkatësinë e tij etnike, por ka edhe të drejtën të mos deklarohet fare, pa pasur asnjë pasojë për karrierën e tij.
Masa kundër abuzimeve: Nëse dyshohet për një deklarim arbitrar (p.sh. ndryshim i etnisë vetëm për të fituar vendin e punës), institucionet do të verifikojnë dokumentet zyrtare. Nëse provohet keqpërdorimi, kandidatit i refuzohet aplikimi dhe bllokohet për 3 muaj nga konkurset e tjera.
Trup Koordinues i ri: Do të ngrihet një strukturë e posaçme monitorimi pranë Qeverisë, e udhëhequr nga zëvendëskryeministri, ku do të përfshihen ministra, Avokati i Popullit, përfaqësues të shoqërisë civile dhe profesorë, për të ndjekur ecurinë e barazisë në administratë.
Një tjetër pikë kyçe e këtij drafti është neni 14, i cili përcakton se ligji do të rivlerësohet plotësisht pas 5 vitesh nga hyrja e tij në fuqi. Pas këtij afati, nëse konsiderohet se objektivat e integrimit janë arritur, qeveria ka të drejtë të propozojë kufizimin apo edhe heqjen definitive të këtyre masave të veçanta.
