Kryeministri dhe njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi një takim me socialistët e Qarkut Dibër në kuadër të aktiviteteve për 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste.
Në fjalën e tij, Rama kujtoi fillimisht episodet e fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, duke u ndalur te batutat e përdorura gjatë takimeve me qytetarët.
“Unë nuk e kisha pritur që faktikisht të gjithë çyrykët do të provokoheshin dhe do të hidheshin përpjetë dhe do të thonin nuk jemi çyrykë, po burra, dhe të gjithë burrat shkuan pas grave dhe do ta nxirrnin nga kutitë e votimit fitoren më të madhe ndonjëherë për PS,” tha Rama.
Duke folur për historinë 35-vjeçare të Partisë Socialiste, kreu i qeverisë theksoi se kjo forcë politike ka pasur gjithmonë në qendër të veprimtarisë së saj interesin kombëtar.
Sipas tij, historia e PS-së nuk nis me drejtimin e tij apo me brezin aktual të socialistëve, por me vendimin e themeluesve për t’u shkëputur nga e kaluara dhe për të ndërtuar një forcë politike moderne.
“PS ka provuar më shumë se sa një herë që është e vetmja forcë politike e cila ka një marrëdhënie të kristaltë me interesin kombëtar,” deklaroi Rama.
Kryesocialisti u ndal veçanërisht te periudha e luftës në Kosovë, duke kujtuar akuzat që sipas tij i bëheshin ish-kryeministrit Fatos Nano dhe Partisë Socialiste për lidhje me Beogradin.
“Shembulli më kulmor i këtij fakti është i lidhur me atë periudhë kur Partia Socialiste dhe lideri i saj historik, Fatos Nano, bombardoheshin nga të katër anët si të lidhur me Beogradin. Ata që i bombardonin ishin po ata që ditën flisnin për Kosovën dhe natën thyenin embargon që bota demokratike i kishte vënë Slobodan Millosheviçit,” u shpreh Rama.
Ai shtoi se ishin qeveritë socialiste ato që, sipas tij, mbështetën në mënyrë të qartë interesin kombëtar në periudha të rëndësishme të historisë së vendit.
Takimi në Dibër ështe pjesë e aktiviteteve që Partia Socialiste po zhvillon në të gjithë vendin për të shënuar 35-vjetorin e krijimit të saj.
