
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka akuzuar mazhorancën në seancën plenare të Kuvendit se po pengon vazhdimisht zhvillimin e interpelancave të kërkuara nga opozita.
Sipas tij, sa herë që paraqiten kërkesa për interpelancë, gjenden arsye për t’i rrëzuar, duke kufizuar debatin parlamentar dhe llogaridhënien e qeverisë.
“Kryeministri në 8 muaj ka qenë në sallë vetëm 2 herë. Sa herë ka kërkesa për interpelancë, gjendet një arsye dhe nuk bëhet. Mund të jeni e vetmja qeveri në botë që nuk dëshironi të flisni për arritjet tuaja, sepse krenoheni që bëni punë. Duhet përgjegjësi të flasësh në këtë formë”, u shpreh Këlliçi.
Ai ngriti gjithashtu akuza të forta ndaj qeverisë, duke thënë se Shqipëria është shndërruar në një vend kyç për pastrimin e parave.
Këlliçi u ndal edhe te çështja e ish-drejtoreshës së AKSHI-t, duke deklaruar se kryeministri Edi Rama, sipas tij, e kishte mbrojtur publikisht duke e paraqitur si të pastrehë, ndërsa më pas ajo rezultoi me pasuri të konsiderueshme.
“Kryeministri ka bërë avokatinë e Mirlinda Karçanajt, e cila u paraqit si e pastrehë, por më pas doli me katër vila dhe shofer privat”, tha ai.