Vendosni fjalën kyçe....

“Dëshira e vetme e krerëve të PDK-së e LDK-së është që unë të mos kem pushtet” – Kurti


Kryeministri Albin Kurti ka fajësuar kryetarët e dy partive opozitare, Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike, për dështim në gjetjen e një zgjidhjeje për zgjedhjen e presidentit, shkruan Koha.

Ai ka thënë se ata “nuk duan as pushtet e as përgjegjësi për veten e tyre”.

“Krejt çfarë duan është që ne dhe unë të mos kemi pushtet. Por, këtë gjë nuk e vendosin ata”, ka thënë ai në Facebook.

Në shkrimin e tij, Kurti thekson se më 28 dhjetor populli foli qartë duke ia dhënë Vetëvendosjes mbi 51 për qind. Ai ka shtuar se bazuar në këtë është obligim i secilit lider të partive të sillet në përputhje me rezultatin.

Kurti ka thënë se shkuarja në zgjedhje të reja për shkak të moszgjedhjes së presidentit janë vetëm humbje kohe dhe humbje e buxhetit.

“Organizimi i zgjedhjeve të reja do t’i kushtonte Kosovës së paku 10 milionë euro, mandej për shkak të mungesës së funksionimit të Kuvendit do të humbisnim shumë dhjetëra miliona euro të tjerë nga bashkësia ndërkombëtare, ndërkohë që rezultatet e zgjedhjeve të sërishme do të mund të ishin pak a shumë të përafërta me ato ekzistuese”, ka thënë Kurti.