Vendosni fjalën kyçe....

“Po ata idiotët shqiptarë ç’thonë” – Ministri i vendit fqinj: Fjalor i papranueshëm, Hoxha t’u kërkojë falje shqiptarëve


Ministri shqiptar në qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Besar Durmishi, ka kërkuar që ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ferit Hoxha të kërkoj ndjesë për fjalorin fyes të përdorur ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

Në një shënim në Facebook, ministri i Ekonomisë shkruan se pret reagim e sqarim të menjëhershëm nga qeveria shqiptare ndërsa Hoxhës i bën thirrje të kërkojë menjëherë ndjesë.

Durmishi shënjestron edhe ambasadorin shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Denion Mejdani, për të cilin thotë se në vend që të reagojë për fjalorin e përdorur është kthyer në zëdhënës të disa partive politike në maqedoninë e Veriut.

Zhgënjyes dhe i papranueshëm fjalori i Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, z. Ferit Hoxha, i cili i quan shqiptarët e Maqedonisë së Veriut “idiotë”.

Presim reagim dhe sqarim urgjent nga Tirana zyrtare, ndërsa Ministri Hoxha duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për ofendimet e bëra. Kjo lloj gjuhe shkel çdo kodeks etik e profesional dhe është skandaloze për një përfaqësues shteti.

I kujtojmë z. Hoxha se e ka obligim kushtetues të kujdeset për bashkëkombasit e vet që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë fqinj nga projekti i dashur i Tiranës zyrtare Open Balkan, por pjesë e pandashme e trungut kombëtar.

Në të njëjtën kohë, zhgënjen edhe heshtja e ambasadorit shqiptar në Shkup, z. Denion Meidani, i cili në vend se të reagojë ndaj fjalorit të tillë, ka zgjedhur ta bëjë zëdhënësin e disa partive politike në Maqedoninë e Veriut.” – shkruan Durmishi.