Vendosni fjalën kyçe....

Hagi rikthehet të drejtojë Rumaninë pas 25 vitesh


Rumania ka emëruar ish-legjendën Gheorghe Hagi si trajner të kombëtares, njoftoi Federata e Futbollit të hënën, me 61-vjeçarin që rikthehet në stol aty ku nisi karrierën si trajner 25 vite më parë.

I konsideruar si një nga lojtarët më të mirë në botë në kulmin e tij gjatë viteve 1980 dhe 1990, Hagi zëvendëson Mircea Lucescu, i cili u largua nga posti më herët këtë muaj pas humbjes së Rumanisë në “playoff”-in e Kupës së Botës ndaj Turqisë.

Lucescu, 80 vjeç, ndërroi jetë pesë ditë pasi dha dorëheqjen.

Federata njoftoi se Hagi ka firmosur një kontratë për dy ciklet e ardhshme kualifikuese: Euro 2028 dhe Kupa e Botës 2030.

Rumania do zhvillojë ndeshje miqësore kundër Gjeorgjisë dhe Uellsit në qershor, para se të nisë fushatën në Ligën B të UEFA Nations League në shtator.

Hagi, një mesfushor ofensiv i njohur me nofkën “Maradona i Karpateve”, ka zhvilluar 124 ndeshje me Rumaninë, duke marrë pjesë në tre Kupa Bote dhe tre Kampionate Evropiane.

Së bashku me Adrian Mutu, ai mban rekordin si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për Rumaninë me 35 gola.

Karriera e tij si lojtar e çoi te klube të njohura si Steaua Bucuresti, Real Madrid dhe Barcelona, përpara se ta mbyllte karrierën te Galatasaray në moshën 36-vjeçare në vitin 2001.

Si trajner, Hagi ka pasur dy periudha te Galatasaray, duke fituar Kupën e Turqisë.

Ai themeloi gjithashtu klubin Viitorul Constanta, i cili u ngjit në elitë dhe më pas u bashkua me Farul Constanta. Hagi e drejtoi këtë klub për më shumë se një dekadë deri vitin e kaluar, duke fituar dy tituj kampion, shkruan Reuters.