
Briken Calja rikthehet sërish në podiumin europian, duke fituar dy medalje në Kampionatin Europian të Peshëngritjes të zhvilluar në Batumi.
Shtatë vite pas suksesit të tij të madh në të njëjtin qytet, ku u shpall kampion Europe me tre medalje ari, Calja përsërit një tjetër paraqitje të rëndësishme, duke fituar medalje ari në stilin e shtytjes dhe argjend në dygarësh.
Në kategorinë 79 kg, peshëngritësi shqiptar realizoi 153 kg në shkëputje, duke u renditur në vendin e katërt. Ndërkohë, në shtytje arriti të ngrejë 187 kg në provën e tretë, rezultat që i siguroi medaljen e artë në këtë stil.
Me një total prej 340 kg në dygarësh, Calja e mbylli garën në vendin e dytë, duke u shpallur nënkampion Europe.
Pas garës, ai reagoi në rrjetet sociale, duke e cilësuar këtë sukses si një tjetër kapitull të ndërtuar mbi punë, sakrificë dhe besim, ndërsa theksoi se historia u përsërit në të njëjtin qytet dhe me të njëjtin shpirt garues.