
Një sulm me eksploziv në një autostradë në jugperëndim të Kolumbisë ka lënë të paktën 14 persona të vdekur dhe 38 të plagosur, mes tyre edhe pesë fëmijë, sipas DW.
Ngjarja ndodhi në Pan-American Highway, në komunën Cajibío të provincës Cauca, kur një cilindër me eksploziv ra mbi një minibus dhe shpërtheu, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe viktima të shumta.
Guvernatori i rajonit e cilësoi ngjarjen si “tragjedi” dhe paralajmëroi për përshkallëzim të dhunës.
Autoritetet kolumbiane fajësojnë për sulmin grupet disidente të ish-FARC, konkretisht të lidhura me Ivan Mordisco, një prej personave më të kërkuar në vend, i cili nuk pranoi marrëveshjen e paqes së vitit 2016.
Presidenti Gustavo Petro e dënoi ashpër ngjarjen, duke i quajtur autorët “terroristë, fashistë dhe trafikantë droge”.
Sulmi ndodh vetëm një muaj para zgjedhjeve presidenciale të planifikuara për 31 maj, në një klimë të tensionuar sigurie në disa rajone të vendit.
Autoritetet kanë raportuar gjithashtu një valë sulmesh të tjera në zonat Valle del Cauca dhe Cauca, duke rritur shqetësimet për përshkallëzim të dhunës në prag të procesit zgjedhor.