
Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, mori pjesë në Konferencën Mbarëkombëtare Farmaceutike, e cila këtë vit shënoi 20-vjetorin e krijimit të Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë.
Në fjalën e saj, ministrja e cilësoi këtë përvjetor si një moment reflektimi për arritjet dhe sfidat e sektorit, duke theksuar se farmaceutika mbetet një nga shtyllat kryesore të sistemit shëndetësor.
“Ky përvjetor është një mundësi për të vlerësuar rrugën e bërë deri më sot, por edhe për të parë me realizëm sfidat që kemi përpara,” u shpreh Sala.
Ajo nënvizoi se prioritet kryesor mbetet garantimi i aksesit të qëndrueshëm të qytetarëve në barna cilësore, të sigurta dhe efektive, si dhe përmirësimi i aksesit në barna inovative.
Sipas saj, objektivi është jo vetëm futja e barnave të reja në treg, por edhe shkurtimi i kohës së aksesit për pacientët, në përputhje me standardet evropiane.
Ministrja theksoi gjithashtu se janë ndërmarrë hapa drejt reformimit dhe modernizimit të sistemit farmaceutik, duke synuar një model më transparent, efikas dhe të dixhitalizuar.
Në këtë kuadër, ajo përmendi edhe miratimin e fundit të vendimit për çmimet e barnave, që synon të krijojë një treg më të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm, duke balancuar aksesin, çmimet dhe stabilitetin e sektorit.
Sala vuri në dukje se bashkëpunimi me industrinë farmaceutike, profesionistët dhe partnerët ndërkombëtarë është thelbësor për adresimin e sfidave, përfshirë zinxhirët e furnizimit dhe mungesat e barnave.
Në përfundim, ajo theksoi se në qendër të çdo reforme mbetet pacienti, ndërsa roli i farmacistit po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm në kujdesin shëndetësor dhe përdorimin e sigurt të barnave.