Një përplasje e fortë politike dhe etnike ka shpërthyer në Shkup pas protestës masive të studentëve shqiptarë, të cilët kërkojnë të drejtën e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Ndërsa zëvendëskryeministri Izet Mexhiti deklaroi se është arritur dakordësia me kryeministrin Hristijan Mickoski që jurisprudenca dhe profesionet e tjera të kenë licencat në shqip, Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, ka dalë hapur kundër këtij hapi.
Filkov e ka cilësuar këtë kërkesë si një përpjekje për presion politik dhe nxitje të konfrontimit etnik, duke këmbëngulur se gjuha maqedonase mbetet shtylla e vetme institucionale dhe se kriteret e sistemit ligjor nuk mund të ndryshohen nga presioni i rrugës.
“Reagoj ashpër ndaj përpjekjes për ta shndërruar provimin e jurisprudencës në një fushë për presion politik dhe konfrontim etnik. Provimi i jurisprudencës nuk është çështje politike, por çështje ekspertize, profesionalizmi dhe respekti për rendin juridik të shtetit. Përpjekjet për ta paraqitur detyrimin ligjor për të njohur gjuhën maqedonase si diskriminim janë manipulim i rrezikshëm i publikut dhe një goditje e drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues,” deklaroi ministri Filkov.
Sipas ministrit, Ministria e Drejtësisë mbeter e hapur për dialog institucional, por nuk do të lejojë në asnjë moment zhvlerësimin e sistemit gjyqësor apo minimin e rolit të gjuhës maqedonase, duke shtuar se ajo nuk është pengesë, por një detyrim, një vlerë kushtetuese dhe një garanci për funksionimin e shtetit.
Nga ana tjetër, reagimet nga kampi politik shqiptar tregojnë për thyerje të thella dhe interpretime të ndryshme të ligjit.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në opozitë ka akuzuar qeverinë se po përpiqet të sabotojë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, duke theksuar se problemi nuk qëndron te mungesa e një zgjidhjeje ligjore.
“Zgjidhja tashmë ekziston në vetë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, konkretisert në nenin 23, i cili qartë përcakton se të gjitha ligjet e tjera duhet të harmonizohen me këtë ligj brenda 12 muajve nga hyrja e tij në fuqi. Kjo do të thotë se nuk ka nevojë për ‘zgjidhje të re’, por vetëm për zbatim të ligjit ekzistues. Çdo përpjekje për të kërkuar zgjidhje paralele ose alternative jashtë nenit 23 paraqet goditje direkte,” deklaruan nga BDI.
Ndërkaq, koalicioni shqiptar në pushtet, VLEN, ka hedhur akuza ndaj BDI-së, duke thënë se po e shfrytëzon politikisht protestën e studentëve, ndërkohë që nuk bëri asgjë për çështjen e gjuhës sa kohë ishte vetë në qeverisje.
Në mbrojtje të kauzës së studentëve ka dalë edhe Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, i cili deklaroi prerazi se kërkesa për dinjitet nuk është kërcënim.
Ky reagim erdhi pas protestës intensive të një dite më parë, ku Shkupi u mbush me flamuj kuqezi dhe studentët u përballën me ndalesa nga forcat e policisë, çka çoi edhe në shoqërimin e tre personave.
