Vendosni fjalën kyçe....

“SHBA e BE në një linjë për luftën kundër korrupsionit” – Shehaj


Kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur si te deklaratat e kandidatit të propozuar nga SHBA për ambasador në Tiranë, ashtu edhe te raporti IBAR i Bashkimit Europian.

I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ai theksoi se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian mbajnë një qëndrim të përbashkët sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe mbështetjes për Prokurorinë e Posaçme.

Shehaj vlerësoi se, megjithëse procesi nuk është i plotë apo i përsosur, në këtë drejtim janë shënuar zhvillime të rëndësishme në vitet e fundit. Sipas tij, këto zhvillime kanë filluar të prodhojnë efekte konkrete në hetimin e korrupsionit në nivele të larta të qeverisjes.

“Fatmirësisht mesazhi dhe qendrimet janë të njëjta, SHBA është në krah të SPAK dhe kundër korrupsionit. U hodhën poshtë zërat pranë qeverisë që thonin ikën amerikanët. E vërteta është që vëmendja e SHBA dhe BE edhe me dokumentin IBAR tregon që ka një vëmendje maksimale në luftën kundër korrupsionit dhe mbështetjen e SPAK. Për mua SPAK nuk është i përkryer, por për 35 vite ka pasur pandëshkueshmëri, për mendimin tim tashmë gjërat kanë ndryshuar. Fakti që nuk tremben nuk është argument. Isha unë në Kuvend kur nisën me Beqajn dhe të tjerë që nuk ishin të rëndësishëm aq nga sa pamë më vonë, thamë është fillimi nuk është ende drejtësi. Tashmë nuk jemi më në fazën e show. Veliaj është kryetar bashkie në detyrë dhe ka 2 vite në burg. Jam i bindur se këtu do të marrë fund pandëshkueshmëria. Nëse mendoja para një viti që Rama mund të shkonte në gjyq apo të përfundonte në burg, sot mendoj që kjo është e mundur.” – tha Shehaj.