Vendosni fjalën kyçe....

Shkeli masën e “arrestit në shtëpi”, ndalohet 31-vjeçari në Dibër


Policia e Dibrës ka ndaluar një 31-vjeçar, i cili kishte thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, të vendosur nga gjykata për veprat penale “vjedhje” dhe “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.

Ndërkohë, policia në njoftim bën me dije se ka nisur procedime penale edhe për disa raste të tjera në qark, përfshirë tejkalim leje ndërtimi, zjarrvënie nga pakujdesia që dogji sipërfaqe me bimësi dhe  transport të paligjshëm të lëndës drusore.

Njoftimi:

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër

Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata për “Vjedhje”, e “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” kapet dhe ndalohet 31-vjeçari.

Në vijim të punës për garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër kapën dhe ndaluan shtetasin S.B., 31 vjeç, banues në fshatin Fushë-Alie, Dibër.

Ky shtetas kishte dalë nga banesa e tij, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Po nga këto shërbime u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A.T., 50 vjeç, banues në Peshkopi, pasi ka tejkaluar lejen e ndërtimit të dhënë nga organet përkatëse.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:

-K.T., 67 vjeç, banues në fshatin Vajkal, pasi ka ndezur zjarr për djegien e disa barishteve, por si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe me bimësi;

-L.R., 49 vjeç dhe M.L., 67 vjeç, të dy banues në Bulqizë, pasi u kapën nga shërbimet e Policisë duke transportuar me një furgon, lëndë drusore të prera në mënyrë të paligjshme.

-Rr.B., 47 vjeç, banues në Bulqizë, pasi për motive të dobëta është konfliktuar fizikisht me shtetasin S.Gj.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.