Vendosni fjalën kyçe....

“Raporti i BE-së thekson korrupsionin e qeverisë në të gjitha institucionet, e kemi denoncuar prej kohësh” – Bardhi


Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi akuzoi qeverinë se është përgjegjëse për kritikat e forta të raportit të vendeve të BE-së mbi ecurinë e Shqipërisë dhe rrugëtimin e saj drejt integrimit në BE.

Në fjalën e tij në Kuvend, ai theksoi se korrupsioni është problem serioz në të gjitha fushat dhe degët e qeverisë.

“Megjithatë, BE-ja thekson se korrupsioni mbetet i përhapur në shumicën e fushave të jetës publike dhe biznesit, përfshirë të gjitha degët e qeverisjes qendrore dhe vendore, si edhe institucionet, duke mbetur një çështje me shqetësim serioz. BE-ja vëren progresin e Shqipërisë për të ndryshuar dhe plotësuar më tej kuadrin e saj ligjor dhe institucional në luftën kundër korrupsionit. BE-ja thekson se këto masa tani duhet të zbatohen me vendosmëri dhe të japin ndikim veçanërisht në sektorët më të rrezikuar nga korrupsioni, mbi të gjitha në infrastrukturën publike, kadastrën dhe të drejtat e pronësisë, doganat, administratën tatimore, arsimin, shëndetësinë, prokurimet publike dhe kontratat e Partneritetit Publik-Privat. BE-ja fton Shqipërinë të përfundojë rishikimin dhe zbatimin efektiv të legjislacionit mbi donacionet dhe sponsorizimet, si edhe mbi financimin e partive politike, përmes një dialogu gjithëpërfshirës dhe konstruktiv ndërpartiak.” – tha Bardhi.

Ai shtoi më tej se raporti i IBAR vë theksin tek të gjitha problematikat që ka denoncuar opozita prej kohësh. Sipas Bardhit, qeveria është tani e detyruar të zbatojë atë që i kërkohet nga Brukseli nëse do të ecë përpara me integrimin.

“BE-ja thekson se Shqipëria duhet të bëjë progres të mëtejshëm të konsiderueshëm në parandalimin dhe luftimin e natyrës së përgjithësuar dhe të përhapur të korrupsionit. BE-ja vëren përpjekjet e Shqipërisë për të forcuar kapacitetet institucionale dhe koordinimin e institucioneve të parandalimit të korrupsionit. Gjithashtu, BE-ja vëren konsolidimin e kapaciteteve operacionale dhe njerëzore, thuhet në raportin e IBAR. Ju keni thënë s’kemi probleme me zgjedhjet, por IBAR thekson se duhen marrë masa të krijohet barazi mes palëve ndërsa shton se duhet të zhduket rrjeti i patronazhistëve. Meqë deri tani nuk e keni dëgjuar opozitën që nuk ka thënë asnjë gërmeë ndryshe nga sa ju ka thënë BE, në IBAR, jeni të detyruar të zbatoni tani atë që ju kanë kërkuar 27 vendet e BE-së.” – shtoi Bardhi.