Vendosni fjalën kyçe....

“Final 4” rikthehet në “Air Albania”, Vllaznia sfidon Egnatian, Elbasani përballet me Dinamo City-n


Pas spektaklit dhe emocioneve të ndeshjeve të para të fazës “Final 4”, kampionati “Abissnet Superiore” rikthehet këtë fundjavë me dy përballje të tjera vendimtare në stadiumin “Air Albania”.

Dinamo City dhe Egnatia morën fitore të rëndësishme në sfidat e para, duke hedhur një hap drejt finales së madhe. Dinamovitët triumfuan 2-0 ndaj Vllaznisë, ndërsa Egnatia dominoi Elbasanin me rezultatin e thellë 4-0.

Ndeshja e parë e javës do të luhet të shtunën, më 23 maj, në orën 19:00, ku Vllaznia do të përballet me Egnatian në një duel që pritet të sjellë rivalitet dhe tension sportiv në kryeqytet.

Ndërkohë, të dielën, më 24 maj, po në orën 19:00 dhe në të njëjtin stadium, Elbasani do të sfidojë Dinamo City-n në një tjetër takim shumë të rëndësishëm për ecurinë e “Final 4”.

Të katër skuadrat synojnë të sigurojnë një vend në finalen e kampionatit, ndërsa pritet që tifozët të krijojnë një atmosferë të zjarrtë në “Air Albania”.

Ndeshjet e dyta të “Final 4”:

 

Vllaznia – Egnatia, 23 maj 2026, ora 19:00

Elbasani – Dinamo City, 24 maj 2026, ora 19:00