Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet Ymer Marku, ish-kryetar i komunes Bërxullë, kandidat i Lulzim Bashës


Ymer Marku, ish-kreu i Komunës Bërxullë e kandidati i Lulzim Bashës është arrestuar me kërkesë nga Prokuroria e Tiranës.

Ai dhe tre persona të tjerë janë arrestuar lidhur me një hetim për tjetërsimin e 7.500 m2 tokë.

Përveç Markut, arrest me burg është kërkuar edhe për Kujtim Balliun, Agim Locin e Kujtim Allmetën.

Përveç masës së mësipërme, prokuroria ka kërkuar sekuestrimin e sipërfaqes së tokës, e cila sipas organit të akuzës, pasi është përfituar në mënyrë të paligjshme nga Kujtim Allmeta, i është shitur shoqërisë “Alko Impex Construsion” për 10.000.000 lekë të reja.

Ymer Marku ka qenë kandidat i i Lulzim Bazhës në zgjedhjet lokale për kryebashkiak të Vorës. Marku ka qenë dy herë kryetar i komunës Bërxullë. 12 vite më parë, Ymer Marku është paditur për mosdeklarim dhe fshehje të të ardhurave dhe prokurori i kryeqytetit Julian Xhengo ka kërkuar shpalljen e tij fajtor.

Në seancën e 1 dhjetorit 2022, gjykatësi Martin Deda, administroi një sërë dokumentesh nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive si dhe nga Drejtoria e Rrugëve, sipas të cilave Ymer Marku nuk kishte deklaruar saktë të dhënat e tij financiare edhe pse ishte i zgjedhur publik dhe kishte detyrim ta bënte.

Sipas raportit të ILDKP-së që u administrua dhe më pas në Gjykatën e Tiranës, Marku, nuk justifikonte burimin e krijimit të pasurisë së tij për pesë objekte pasurore, që nuk janë deklaruar saktë nga Marku.

Pasuritë

Bar-Restorant Domje, vlera e deklaruar nga subjekti është 5.000.000 leke të reja. Nga Raportit të Vlerësimit të datës 03.02.2010 të ekspertit vlerërues, rezulton se prona objekt shqyrtimi është vlerësuar në shumën 12.591.000 lekë të reja. Pra, është deklaruar 7.591.000 lekë të reja më pak.

Autoveturë deklaruar 1.500.000 lekë të reja. Nga hetimi administrativ ka rezultuar që ky automjet është blerë në shumën 19.375 euro ose e vlerësuar me kursin e Bankës së Shqipërisë, në shumën 2.359.488 lekë. Pra, është deklaruar 859.788 lekë më pak.

Depozita bankare dhe llogari rrjedhëse në Tirana Bank, në shumat në total 11.340 euro.

Depozitë afatshkurtër në vitin 2006 shuma 71.700 euro, (derdhur dhe tërhequr brenda vitit).

Depozitë afatshkurtër në vitin 2007, në llogarinë në lekë shuma prej 4.500.000 lekë të reja (derdhur dhe tërhequr brenda vitit).

Nga hetimi administrative asokohe ka rezultuar se pasuritë dhe interesat private të subjektit Ymer Marku, objekt i verifikimit të ILDKP, nuk mbulohen dhe as nuk justifikohen me burime të ligjshme, që në total kapin vlerën 22.656.000 lekë të reja.

Por pavarësisht këtyre shkeljeve dhe mosdeklarimit të pasurisë në disa raste, Gjykata në atë kohë nuk mori parasysh  kërkesën e prokurorit Julian Xhengo që kërkonte dënim dhe shpallje fajtor të Ymer Markut, dhe as kërkesën e ILDKP-së, për veprën penale “Deklarimit te rreme te pasurise te personave te zgjedhur dhe nenpunesve publik”

Njoftimi

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, kërkoi caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” për ish-zyrtarët Y.M., K.B., A.L., për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe shtetasin dhe K.A. për veprën penale “Falsifikimi dokumentave”, parashikuar nga neni 186/2 i K.Penal dhe veprën “Pastrimi i produkteve të veprës penale” e parashikuar nga neni 287 i K.Penal.

Po kështu, kjo prokurori kërkoi sekuestrimin e pasurisë 7.500m2 tokë e llojit “Arrë” e dyshuar e përfituar në mënyrë të paligjshme dhe më pas e shitur shoqërisë “Alko Impex Construsion” shpk në vlerën 10.000.000 lekë të reja.

Më 16.09.2020, kjo prokurori ka regjistruar proçedimin penal nr.5783, për veprën penale “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 të K.Penal.

Nga hetimi rezultoi se plani i rivelimit për pasurinë me sip 7.500 m2 shkoi në favor të shtetasit K.A. (nënshkruar/firmosur) nga Kryeplaku i Fshatit Bërxullë shtetasi A.L. dhe Kryetari i Komunës Y. M, në një kohë kur tokat në kodër Bërxullë kanë qënë toka të Bashkisë Vorë dhe në vitin 1998 kanë kaluar në administrim të ish-Komunës Bërxull.

Personi nën hetim shtetasi Shtetasi Y.M nga viti viti 2004 – Gusht deri në vitin 2015, ka qënë me detyrë Kryetar i Komunës Bërxull, Tiranë. Me shkresën me nr.1021 prot, dt. 13.07.2005, ai ka dërguar për verifikim në Këshillin e Qarkut Tiranë, dokumentacionin për shtetasit A.A., P.A. dhe Sh.A. Në cilësinë e Kryetarit të Komunës Bërxullë së bashku me kryeplakun e fshatit shtetasin A.L. kanë nënshkruar në plan rilevimin për pasuritë e këtyre shtetasve.

Ndërsa me shkresën me nr.576 Prot, datë 12.05.2015 me lëndë “Dërgim dokumentacioni për rregjistrim” është formuluar/konceptuar nga specialisti i Z.M.M.T, shtetasi K. B. dhe konfirmuar (firmosur) nga kryetari i Komunës shtetasi Y.M. për të njëjtën pasuri në emër të shtetasit K.A. (ndryshe nga sa kishte vepruar një vit më parë për të njëjtën pasuri).

Personi nën hetim shtetasi K. B. i cili nga muaji Korrik 2011- Shtator të vitit 2015, ka qënë me detyrë Përgjegjës i Zyrës së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Komunës Bërxullë, Tiranë ka përpiluar shkresat për dërgimin për regjistrim bashkëlidhur dhe ka dërguar AMTP origjinale pa numër në emër të shtetasit K.A. për pasurinë me nr.1032 z.k.1167 me sipërfaqe 7.500 m2, pa kryer më parë verifikimin në dokumentacionin që dispozonon zyra e tij. Ndërkohë që shtetasi K.A., nuk mund të pajisej me AMTP pa numër datë 14.1.1996 (e falsifikuar sipas aktit të ekspertimit) pasi ishte pajisur me AMTP me nr.30 datë 06.01.1996, për pasurinë me nr.133/12, me sipërfaqe 5.100 m2 e llojit arë (sa ka qënë edhe norma për frymë).

Personi nën hetim shtetasi K.A. rezulton se pasi ka përvetësuar pasurinë me dokumenta të falsifikuara në bashkëpunim me punonjësit e Komunës Bërxullë dhe Kryeplakun e fshatit, ka përfituar edhe të ardhura monetare në vlerën 10.000.000 lekë të rinj, duke konsumuar dhe veprën “Pastrimi i produkteve të veprës penale” e parashikuar nga neni 287 i K.Penal, duke tjetërsuar pasurinë me qëllim mbulimin e orgjinës së saj, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale të falsifikimit të dokumentave.

Në rastin konkret, gjatë ushtrimit të detyrës në Komunën Bërxullë, shtetasit K. B., A.L. dhe Y. M., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shpërdoruar detyrën, kanë konsumuar elementë të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 të K.Penal, pasi ka dyshime të bazuara në prova se këta punonjës, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kanë kryer veprime në kundërshtim me detyrën funksionale, duke cënuar interesat e ligjshëm të shtetit dhe personave të tjerë pretendues, për shkak të dëmit të konsiderueshëm ekonomik që u ka ardhur si pasojë e tjetërsimit jo të ligjshëm të pasurisë të pretenduar dhe gëzuar prej vitesh prej tyre.

Duke marrë parasysh rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale, përhapjen e veprës penale, sanksionin, si dhe me qëllim kryerjen e një hetimi gjithë përfshirës, në kushtet kur ekzistojnë shkaqe të cilat vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës (kriteret e përcaktuara në nenin 228 të K.Penal), vlerësojmë se ndaj shtetasve K.A., K. B., A. L. dhe Y.M., duhet të caktohet masa e sigurimit personal “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 të K.Pr.Penale.”