
Janë zbardhur emrat e autorëve të dyshuar për vrasjen e çiftit të bashkëshortëve, Kreshnik dhe Gentjana Mujeci, ngjarje e ndodhur një ditë më parë në Lezhë.
Policia ka shpallur në kërkim Adriano Mhillajn, 22 vjeç, Florin Mhillajn, 36 vjeç, dhe Renato Mhillajn, 23 vjeç. Sipas të dhënave, Florin Mhillaj është djali i Genc Mhillajt, ndërsa dy të tjerët janë nipat e tij, familjarë të një personi të vrarë në vitin 2016.
Kreu i Policisë së Lezhës, Arben Nasufi, deklaroi për mediat se dyshohet që vrasja të ketë ndodhur për motive gjakmarrjeje.
“Nga veprimet e mëtejshme hetimore rezulton se vrasja ka ndodhur për gjakmarrje. Hetimet po vijojnë. Pas identifikimit të autorëve janë ushtruar kontrolle, por nuk është bërë e mundur kapja e tyre. Ata janë shpallur në kërkim dhe operacioni vijon në terren. Automjeti tip ‘Audi’ ka mbajtur në vëzhgim viktimat”, u shpreh ai.
Kreshnik Mujeci ishte një emër i njohur për autoritetet. Në vitin 2017 ai ishte arrestuar së bashku me vëllain e tij, Lin Mujeci, dhe kushëririn Jozef Mujeci, pasi akuzoheshin për vrasjen e Gegë Mhillajt, ngjarje e ndodhur më 6 tetor 2016.
Sipas raportimeve, autorët e dyshuar të ngjarjes së fundit janë pikërisht familjarë të Gegë Mhillajt. Deri më tani, policia nuk ka arritur të lokalizojë dhe arrestojë asnjërin prej tyre, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.