Vendosni fjalën kyçe....

Zjarri në QSUT/ Ministrja Koçiu: Ka nisur puna për rehabilitimin, brenda majit urgjenca i kthehet funksionit


Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu flet për herë të parë për situatën e krijuar në QSUT pas zjarrit të rënë në katin -1, që ka nxjerrë jashtë funksionit edhe shërbimin e urgjencës.

Ministrja po raporton në Komisionin për Shëndetësinë dhe tha se po punohet për të kthyer shërbimin brenda majit.

“Sa i përket incidentit, pa dashur të normalizoj dhe të jap më shumë rendësi se dihet, është në hetim nga prokuroria, por nga të dhënat paraprake nga grupi i punës mund të konfirmoj se bëhet fjalë për një defekt teknik të ndodhur nga dhomat teknike ku ka patur djegie të kabujve elektrike, pa dëmtuar pajisjet biomjeksore të spitalit. Sot që flasim në QSUT vijon normalisht puna dhe i vetmi shërbim që është zhvendosur është urgjenca kardiake dhe ajo e sëmundjeve të brendshme.

Kjo falë protokolleve të ndjekura dhe standardeve në ndërtim, janë zhvilluar procedurat për ta rikthyer këtë shërbim në gjendje pune. Kompania ka nisur punën për rehabilitimin, punimet pritet të përfundojnë brenda muajit maj për ta rikthyer shërbimin”, u shpreh ministrja.

Situata kaotike me urgjencat vijon që prej datës 11 shkurt kur në katin -1 në Urgjencën e re të QSUT-së ra zjarr, për shkaqe që po hetohen nga prokuroria e Tiranës.