
Pas shtyrjes së seancës në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Monika Kryemadhi deklaroi për mediat se në shqyrtimin paraprak është vendosur që t’i vihet në dispozicion akt-ekspertimi i telefonit dhe përgjimet telefonike.
Ajo theksoi se këtë kërkesë e kishte paraqitur edhe gjatë seancës, ndërsa prokurori, sipas saj, ka sqaruar se vetë Kryemadhi, dhe jo avokati, duhet të paraqitet për të tërhequr materialet.
“Ne kërkuam nga gjyqtarja që, përveçse të kishim ekspertimin e telefonit, të na viheshin në dispozicion materialet, pasi çdo gjë është ndërtuar si fabul për të krijuar një iluzion optik, pavarësisht se mesazhet nuk përbëjnë vepër penale. Prokuroria përdor një sms ku unë them ‘dua të marr një shtëpi’ dhe më pas ndryshoj mendje. Kjo cilësohet si korrupsion për te Kodra e Diellit. Por ajo shtëpi nuk ekziston”, u shpreh ajo.
Në prononcimin e saj, Kryemadhi komentoi edhe situatën e drejtësisë, duke u ndalur te arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Sipas saj, mbajtja e tyre në burg synon të krijojë perceptimin se klasa politike ka “paguar” për veprimet e saj.
E pyetur nga gazetarja Klodiana Lala nëse ky proces ndikoi edhe në jetën e saj personale, Kryemadhi u shpreh se tashmë ka përfunduar ajo që e cilësoi si “Big Brother i emocioneve” dhe se do të fokusohet te beteja ligjore.
“Janë dy gjëra krejt të ndryshme nga përditshmëria. Unë e mbylla ‘Big Brother’-in tim për të folur për ndjesitë, tani nis betejën ligjore. Një sistem drejtësie që funksionon me regji politike dhe synon të bëjë statistika. Duke mbajtur Metën dhe Veliajn në burg, kërkohet të thuhet se kjo klasë politike bëri shpagimin e saj, me statistika dhe numra, si në kohën e Partisë së Punës”, deklaroi ajo.