
GJKKO ende nuk ka marrë një vendim mbi kërkesën e Ilir Metës për tu transmetuar live seancat gjyqësore.
Avokati i tij, Kujtim Cakrani, në një prononcim për mediat, e ka cilësuar të papranueshme mungesën e transmetimit publik të seancave, duke argumentuar se procese të ngjashme në vende të tjera zhvillohen me kamera dhe transparencë të plotë.
Sipas tij, mbajtja e seancave pa transmetim publik krijon dyshime dhe cenon parimin e transparencës në drejtësi, ndërsa ka paralajmëruar edhe njoftimin e institucioneve ndërkombëtare për rastin.
“Të gjithë gjyqet që nga 1995, Alisë, Nanos, gjyqi në Hagë, të gjitha gjyqet bëhen me kamera, online. Kur bëhet gjyqi në Hagë për krime kundër njerëzimit, imagjinoni mos të bëhet gjyqi i presidentit.
Fakti që s’e merr vendimin, tregon që ka frikë nga provat. Nuk ka guxim ta transmetojë që të shohin shqiptarët montimin që i ka bërë SPAK çështjes së Metës.
E dëgjuar gjykatën çfarë arsyetimi bëri, iu referuar një terroristi në Francë dhe jo Sarkozy. Gjyqi i Nanos është bërë në kushte të barabarta, janë bërë të hapur për gazetarët dhe mediat.
Do u bëj ndërkombëtareve kërkesë të vijnë të shohin Metën në kafaz seancën e radhës, kjo është e papranueshme.
E papranueshme të mbash mbyllur në kafaz presidentin apo kryetarin e bashkisë. Humbet seancë e të qenit një shtet i së drejtës, bëhesh shtet diskriminues.
Vetëm në Shqipërinë e 2026, për turpin e këtyre deputetëve dhe të kësaj shoqërie që pranon një diskriminim të tillë”, tha Cakrani.