Vendosni fjalën kyçe....

Evropa po përballet me një emergjencë të kancerit të pankreasit


Kanceri i pankreasit është lloji i shtatë më i zakonshëm i kancerit në Evropë, por është shkaku i katërt kryesor i vdekjeve të lidhura me kancerin, pas kancerit të mushkërive, të zorrës së trashë dhe gjirit. Deri në vitin 2030, parashikohet gjerësisht të bëhet shkaku i dytë më i zakonshëm i vdekshmërisë nga kanceri.

“Është një emergjencë shëndetësore për shoqërinë, me shkallë vdekshmërie mbi 90%,” paralajmëroi profesor Alfredo Carrato, kreu i shoqatës kundër kancerit të pankreasit në Evropë, duke folur për Medscape Medical News.

Ka shumë sfida me kancerin e pankreasit: Mungesa e vetëdijes, i vështirë për t’u diagnostikuar, mungesa e programeve të shqyrtimit për popullatën e përgjithshme, shkalla e dobët e mbijetesës dhe mundësitë e kufizuara të trajtimit.

Jetëgjatësia në kohën e diagnostikimit është vetëm 4.6 muaj. Vetëm 3% e njerëzve të diagnostikuar me kancer pankreatik do mbijetojnë për 5 vjet.

Një analizë sistematike e vitit 2024 në The Lancet sugjeroi se njerëzit që jetojnë në Evropën Perëndimore kanë më shumë gjasa të zhvillojnë kancer pankreatik sesa ata që jetojnë kudo tjetër në botë.

Carrato, Profesor Emeritus i onkologjisë mjekësore në Universitetin e Alcalá, Spanjë, nuk u befasua. Ai tha për Medscape Medical News: “Unë mendoj se stili i jetesës në Evropë luan një rol. Ne kemi të gjithë faktorët e rrezikut në shoqëritë tona si obeziteti,qëndrimi ulur për kohë të gjatë, konsumimi i tepërt i mishit të kuq dhe pirja e tepërt e alkoolit.”

Faktorë të tjerë rreziku përfshijnë duhanin, diabetin, pankreatitin kronik dhe një histori familjare.

Incidenca e kancerit të pankreasit rritet me moshën, kështu që jetëgjatësia më e gjatë në Evropën Perëndimore mund të kontribuojë gjithashtu në normat e larta të rajonit.

Vrasës i heshtur

Kanceri i pankreasit është i vështirë për t’u identifikuar. Shpesh është asimptomatik. Simptomat që shfaqen, si dhimbja e shpinës, humbja e peshës dhe të përzierat, janë jospecifike dhe e bëjnë diagnozën e hershme sfiduese për t’u kapur në kohë.

Profesori Mattias Löhr nga Instituti Karolinska, Stokholm, Suedi, tha për Medscape Medical Neës: “Është një sëmundje e tmerrshme. Nuk është e lehtë për t’u kapur me kontrolle rutinë apo mbikëqyrje të lehtë. Edhe diagnoza e hershme është shumë vonë kur bëhet fjalë për kancerin e pankreasit.”

Ka pasur pak përparime në rezultatet e pacientëve gjatë dekadave të fundit.

Vetëm rreth 20% e pacientëve janë kandidatë të përshtatshëm për kirurgji që mund t’ua zgjasë jetën.

Gjithashtu, kanceri rishfaqet në dy të tretat e kandidatëve për kirurgji, tha Carrato, dhe onkologët nuk dinë si t’i identifikojnë ata paraprakisht.

“Unë kam pacientë që mbijetojnë 3 muaj dhe të tjerë që mbijetojnë 4 ose 5 vjet, kështu që ekziston nevoja për të identifikuar këto nëntipe në një nivel molekular për kërkime dhe terapi të personalizuara, klinike dhe përkthimore.”

Löhr u pajtua: “Të gjitha terapitë mjekësore nuk po funksionojnë mjaft mirë për kancerin e pankreasit krahasuar me kanceret e tjerë.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Medscape