Vendosni fjalën kyçe....

Gërvalla: Projekt statuti për Asociacionin nuk është i mirë , nuk ofron autonomi për veriun


Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla tha të premtën se projekt statuti për Asociacionin i propozuar nga diplomatët perëndimor nuk është i mirë por nuk ofron asnjë lloj autonomie për veriun e Kosovës. Një muaj më parë të dërguarit amerikanë dhe evropianë u dorëzuan Kosovës dhe Serbisë një dokument për zbatimin e marrëveshjes, pjesë e së cilës ishte edhe, siç thanë zyrtarët në Bruksel, “një propozim bashkëkohor evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, që është edhe pika më e vështirë e procesit të bisedimeve Kosovë – Serbi.

Ministrja Gërvalla tha se projekt statuti për Asociacionin respekton shumë prej shqetësimeve të shprehura nga ana e Kosovës në të kaluarën.

“Unë ju siguroj që nuk ka asnjë tentativë, asnjë përpjekje, asnjë vullnet, asnjë dëshirë të kësaj qeverie dhe në përgjithësi të institucioneve as të presidentes, as të kryeministrit dhe as të institucioneve tjera për të pranuar drafte të cilat janë në dëm të Republikës së Kosovës. Kemi marrë besimin qytetarë me premtime të mëdha dhe ato premtime nuk kemi për t’i shkelur në asnjë aspekt”, tha ministrja Gërvalla.

Diplomacia perëndimore është vënë në përpjekje për të përshpejtuar zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, duke i kërkuar Prishtinës themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ndërsa Beogradit njohjen de fakto të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti përsëriti sot qëndrimin e tij se në takimin me udhëheqësit evropianë ka qenë i gatshëm të nënshkruaj marrëveshjet me Serbinë dhe sipas tij, në atë ditë është lëshuar një mundësi e jashtëzakonshme për siç tha vulosjen e normalizimit të marrëdhënieve.

“Me datën 26 tetor duke refuzuar nënshkrimin, ajo (Serbia) e ka dëshmuar që nuk e ka fare Asociacionin për serbët por e ka Asociacionin kundër Kosovës”, tha ai.

Por, presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha në fillim të kësaj jave se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të formohet derisa të jetë në pushtet Albin Kurti. Ai akuzoi autoritetet në Kosovë së vazhdimisht do të kërkojnë justifikime për të mos formuar Asociacionin, shkruan VOA.

Themelimi i Asociacionit është detyrim i përfshirë në marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit që u arrit më herët gjatë këtij viti dhe e cila synonte të ulte tensionet ndërmjet palëve, të cilat që atëherë u përkeqësuan duke arritur një pikë të lartë në fund të muajit shtator pas një sulmi mbi policinë e Kosovës nga një grup serbësh të armatosur, ku mbeti i vrarë një oficer policie.

Sulmi u pasua nga një shtim përpjekjesh perëndimore për t’i nxitur palët të përshpejtojnë normalizimin e marrëdhënieve, mes shqetësimeve mbi mundësinë e ripërtëritjes së konflikteve në rajon.

Ministrja e Jashtme e Belgjikës, Hadja Lahbib, gjatë një vizite sot në Prishtinë u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që nëpërmjet dialogut të gjejnë zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve.

“Përgjigjen që po e kërkojmë është shtensionimi dhe një përkushtim për procesin e normalizimit. Kjo është e vetmja mënyrë për të gjetur një paqe afatgjate dhe që do t’u japë të dyja palëve një të ardhme të integrimit në Bashkimin Evropian”, tha ministrja Lahbib.