Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Rama për llogari të palëve të treta sabotori marrëveshjen e detit me Greqinë


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar vizitën në Tiranë të ministrit të Mbrojtjes së Greqisë, Nikos Dendias, duke u ndalur te çështja e marrëveshjes së kufirit detar mes dy vendeve.

Në një konferencë për mediat nga selia blu, Berisha deklaroi se marrëveshja e arritur para vitit 2013 ishte në interes të të dyja palëve, por sipas tij ajo u sabotua qëllimisht nga kryeministri Edi Rama.

“Çdo ministër i qeverisë greke është i mirëpritur. Ne jemi në mbështetje të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit me vendet fqinj dhe republikën helenike. Problemi për të cilin vjen Dendias është problemi i marrëveshjes së detit. PD ka dënuar me forcën më të madhe qëndrimin e papërgjegjshëm të Edi Ramës dhe qeverisë së tij ndaj këtij problemi të rëndësishëm për marrëdhëniet mes dy vendeve”, u shpreh Berisha.

Ai shtoi se Rama, “për llogari të palëve të treta”, ka bërë gjithçka për të penguar marrëveshjen e arritur me palën greke përpara vitit 2013.

Vizita e Dendias në Tiranë vjen në kuadër të përpjekjeve për rifillimin e negociatave për çështjen e kufirit detar, proces që ka mbetur i bllokuar prej vitesh.