Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, reagoi të dielën për çështjen e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës, duke e portretizuar atë si një debat vetëm për arsimin, por edhe si një temë që sipas tij po shoqërohet me interesa politike dhe tentativa për tensione nacionaliste në vend.
Duke folur në kishën “Shën Sofia” në Ohër, gjatë akademisë solemne për Ditën e “Shën Kirilit dhe Metodit”, Mickoski tha se është i gatshëm të diskutohet për përdorimin e gjuhëve, por insistoi që debati të zhvillohet “në prizmin e duhur”.
“Sado që të ketë politike dhe interesa në prapavijë në imponimin e temës për përdorimin e gjuhëve në dhënien e provimit të jurisprudencës, unë jam i gatshëm dhe në mënyrë të caktuar më vjen mirë që përfundimisht mund të flasim për arsim, por bisedat patjetër duhen vendosur në prizmin e duhur. Unë jam i gatshëm të ndihmoj në çdo proces që do të nënkuptonte arsim më të mirë dhe më të fortë. Konsideroj se dera e mundësive dhe dalje e shpëtimi i çdokujt është pikërisht arsimi i fortë. Kjo na bën më të fortë. Kjo mund ta ndërtojë të ardhmen tonë. Shansi i vetëm për sukses është mësimi, përkushtimi dhe hapja e perspektivave të reja”, u shpreh kryeministri maqedonas.
Ai deklaroi gjithashtu se nuk ka kundërshtim që komunitetet të përdorin gjuhën e tyre, por theksoi se kjo duhet të ndodhë brenda Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.
“Nuk kam asnjë pengesë të flitet për temat që sot janë aktuale dhe çdo komunitet ta ketë të drejtën të përparojë dhe përdorë gjuhën e tij, kuptohet derisa kjo është në kornizë të Kushtetutës, ligjeve, dhe derisa respektohet vula jonë identitare – gjuha maqedonase”, tha Mickoski.
Ai paralajmëroi edhe kundër asaj që e quajti “grackë nacionaliste”, duke lënë të kuptohet se sipas tij, tema po përdoret për interesa politike. Megjthatë, Mickoski insistoi që qeveria që ai drejton do të sjellë shumë shpejt një zgjidhje.
“Andaj shumë shpejt do të vijmë në një zgjidhje që të gjithë duhet ta mbështesim dhe që do t’i kapërcejë mbi interesat dhe tendencat individuale partiake dhe ndoshta politike që të ngecim në edhe në një grackë nacionaliste, e historia na mëson se të tilla gracka janë metoda më e mirë e atyre që kanë interesa personale kriminale ose të tjera dhe që rregullisht fshihen prapa temave të këtilla, që janë mbulesë e qëllimeve të vërteta që të keqpërdoret bashkëjetesa dhe të krijohen pengesa”, deklaroi ai.
Deklarata e Mickoskit vjen disa ditë pas protestës së 18 majit në Shkup, ku mijëra studentë shqiptarë kërkuan që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
Studentët argumentojnë se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve nuk e ndalon zhvillimin e provimit në shqip dhe se institucionet shtetërore janë të detyruara të garantojnë përdorimin e gjuhës shqipe në procedurat zyrtare.
