Vendosni fjalën kyçe....

Zhupa kërkon rikthimin e pagesave për punonjësit e Arkivit të Filmit: Punojnë mes substancave kimike



Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka kërkuar rikthimin e pagesave për vështirësi në punë për punonjësit e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, duke theksuar se ata punojnë çdo ditë në kushte të vështira dhe me materiale të rrezikshme.

Pas një monitorimi në institucion, Zhupa u shpreh se punonjësit e arkivit përballen me pluhur të dëmshëm, materiale të vjetra filmike dhe substanca kimike që përdoren për restaurimin dhe ruajtjen e filmave, ndërsa e cilësoi të padrejtë heqjen e pagesave shtesë dhe kërkesën për kthimin e tyre.

Sipas saj, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka një rol të rëndësishëm në ruajtjen e kujtesës dhe identitetit kombëtar, përmes restaurimit dhe mbrojtjes së filmave, dokumentarëve dhe materialeve të rralla arkivore shqiptare.

Zhupa kërkoi gjithashtu që arkivi të ketë status të veçantë kombëtar dhe që materialet arkivore filmike e folklorike të synohen për përfshirje në programet mbrojtëse të UNESCO-s.

Deputetja demokrate propozoi edhe kthimin e arkivit në një qendër kombëtare restaurimi filmi, me investime në teknologji dhe burime njerëzore, duke argumentuar se kjo do ta kthente Shqipërinë në një qendër rajonale për ruajtjen e trashëgimisë filmike.