Vendosni fjalën kyçe....

“Organizuan e urdhëruan dhunë, rrezikuan jetën e anëtarëve të kryesisë e dëmtuan selinë e partisë” – PD deklaratë zyrtare për përjashtimin e Berishës e 28 të tjerëve


Partia Demokratike ka shpërndarë një deklaratë zyrtare lidhur me vendimet e marra nga kryesia e saj pas mbledhjes maratonë të ditës së djeshme ku u vendos përjashtimi përgjithnjë i Sali Berishës dhe tetë deputetëve e zyrtarëve të saj.

Në deklaratë theksohet se personat e përjashtuar përgjithnjë si dhe ata që janë pezulluar përkohësisht janë përgjegjës për dhunën ndaj selisë së PD-së në protestët e 8 janarit duke rrezikuar jetën e anëtarëve të kryesisë, grupit parlamentar, Këshillit Kombëtar e Kuvendit Kombëtar.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se organizatorët e protestës, urdhëruesit e mbështetësit e saj janë përpjekur t’i imponohen vendimmmarrjes së shumicës dërrmuese të institucioneve të partisë. 19 deputetët, zyrtarët e anëtarët ndaj të cilëve është marrë masa e pezullimit të përkohshëm, duhet të distancohen publikisht e plotësisht nga dhuna u ushtruar ndaj PD-së si dhe ndaj dëmtimit të interesave elektorale të saj.

Deklarata

Pas sulmit të dhunshëm dhe të parapërgatitur të 8 Janarit mbi Selinë Qendrore tëPartisë Demokratike, që vuri në rrezik serioz jetën e anëtarëve të Kryesisë, Grupit Parlamentar, Këshillit Kombëtar, Kuvendit Kombëtar, dhe vetë anëtarëve të partisë që ishin thirrur në një protestë që ishte lajmëruar si paqësore, por ishte përgatitur për të shkaktuar gjakderdhje mes demokratëve;

Pas shkatërrimit të paprecedentë të Selisë Qendrore të Partisë Demokratike, nga individë me rekorde kriminale dhe pa asnjë lidhje me Partinë Demokratike, të urdhëruar, organizuar dhe nxitur nga organizatorët e protestës;

Pas tentativës që përmes akteve të dhunës dhe kërcënimeve për destabilizim t’i imponohen vendimmarrjes së shumicës dërrmuese të të gjitha institucioneve të partisë;

Pasi kanë kaluar 48 orë dhe nuk ka asnjë akt distancimi nga dhuna e paprecedentë e urdhëruar, organizuar dhe nxitur nga disa anëtarë të partisë, ndaj partisë së tyre dhe anëtarëve të Partisë Demokratike;

Kryesia e Partisë Demokratike, në mbledhjen e datës 10 Janar 2021, unanimisht

Vendosi

  1. Dënimin me forcë të akteve të dhunës, gjuhës përcarëse dhe retorikës që nxit konfliktin mes demokratëve.
  2. Përjashtimin nga Partia Demokratike, dhe ku është rasti nga të gjitha funksionet drejtuese dhe nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, të anëtarëve që kanë organizuar, nxitur, urdhëruar apo ushtruar dhunë si më poshtë:
    Sali Berisha
    Flamur Noka
    Edmond Spaho
    Albana Vokshi
    Bujar Nishani
    Arben Ristani
    Rigels Muçollari
    Keltis Kruja
    Klevis Balliu

 

  1. Pezullimin me efekt të menjëhershëm nga anëtarësia në Partinë Demokratike, dhe ku është rasti nga të gjitha funksionet drejtuese dhe nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, deri në distancimin e plotë dhe publik nga aktet e dhunës ndaj Partisë Demokratike, dhe veprimeve që dëmtojnë interesat elektorale apo politike të Partisë Demokratike, të:
    Agron Shehaj
    Aldo Bumci
    Belind Këlliçi
    Blendi Himçi
    Clirim Gjata
    Edi Paloka
    Edith Harxhi
    Eno Bozdo
    Ervin Minarolli
    Genc Deromemaj
    Genc Pollo
    Gent Strazimiri
    Ivi Kaso
    Ledina Mandija
    Lorenc Luka
    Luan Baçi
    Mimoza Hajdrmamataj
    Oerd Bylykbashi
    Tritan Shehu