Vendosni fjalën kyçe....

Oficeri i Policisë së Kosovës i dënuar për spiunazh ishte edhe punonjës i Policisë së Serbisë


Ish-shefi i operativës së Policisë së Kosovës në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”, Bojan Jevtiq, rezulton se ka qenë njëkohësisht pjesëtar i Policisë së Serbisë dhe rezervist i ushtrisë serbe, ndërsa tashmë është dënuar për spiunazh dhe armëmbajtje pa leje, shkruan Koha.

Sipas aktakuzës, Jevtiq, i cili javën e kaluar u dënua me gjashtë vite burg dhe 2000 euro gjobë, ka pranuar në Prokurori se, paralelisht me detyrën në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, kishte kontratë pune edhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë, e njohur si “MUP”, të paktën që nga viti 2009.

Hetimet tregojnë se ai i raportonte strukturës paralele të Policisë së Gjilanit me seli në Vranjë të Serbisë. Gjatë kontrollit në banesën e tij, autoritetet gjetën dokumente që lidhnin atë dhe familjarët e tij me strukturat policore serbe në Kosovë.

Në aktakuzë përmendet një padi e dorëzuar në vitin 2016 në Gjykatën Themelore të Vranjës nga babai i tij, Vitomir Jevtiq, së bashku me 17 persona të tjerë, përfshirë edhe Bojan Jevtiqin, të identifikuar si zyrtarë policorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në Kosovë.

Po ashtu, në banesën e Jevtiqit u sekuestrua edhe një dokument i Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, i vitit 2017, që vërtetonte statusin e tij si rezervist i ushtrisë serbe. Dokumenti përcaktonte se ai duhej t’u përgjigjej kërkesave të ushtrisë serbe në rast nevoje.

Sipas dosjes hetimore, Jevtiq ka pranuar se ka nxjerrë informacione konfidenciale të Policisë së Kosovës, përfshirë një plan operacional të miratuar dy ditë pas sulmit terrorist në Banjskë, si dhe urdhra të tjerë të lidhur me masat e sigurisë pas sulmit në Varagë.

Aktakuza thekson se prej më shumë se dy vitesh kishte dyshime brenda Policisë së Kosovës se Jevtiq po punonte për interesat e Serbisë. Në një nga episodet e përmendura në hetim, një zyrtar policor e kishte pyetur nëse do të ndalohej nga autoritetet serbe në rast kalimi në territorin e Serbisë. Sipas përgjimeve dhe provave të mbledhura, Jevtiq kishte kontaktuar me BIA-n serbe për të marrë informacion mbi listat e ndalimit.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu kontakte të tij me disa zyrtarë të inteligjencës serbe, mes tyre Sasha Qiriq, Ivica Stakoviq, Branimir Filiq, Nebojsha Nedelkoviq dhe një person të regjistruar në telefon si “Radica Carina”.

Përveç planeve operative dhe urdhëresave policore, Jevtiq dyshohet se ka transmetuar te autoritetet serbe edhe të dhëna për persona të ndaluar nga Policia e Kosovës, si dhe raporte inteligjente që lidhen me kontrabandën e migrantëve, narkotikëve dhe mallrave.

Ai konsiderohet zyrtari i parë i Policisë së Kosovës i dënuar për veprën penale të spiunazhit.

https://www.koha.net/arberi/togeri-i-policise-se-kosoves-i-denuar-per-spiunazh-ishte-pjesetar-edhe-i-policise-se-serbise