Vendosni fjalën kyçe....

Brazili shënon prodhim rekord të naftës e gazit


Prodhimi i naftës dhe gazit në Brazil arriti një nivel rekord  në korrik, duke mposhtur rekordin e mëparshëm të vendosur në qershor, zbuloi këtë javë rregullatori i naftës ANP.

Prodhimi arriti në 4.48 milionë fuçi nafte në ditë muajin e kaluar, treguan të dhënat. Vetëm prodhimi i papërpunuar u rrit me 18.6% në bazë vjetore në 3.51 milionë fuçi në ditë.

Prodhimi i gazit natyror u rrit me 13.6% në 154.08 milionë metra kub në ditë, shtoi rregullatori.

Kompanitë private të naftës do rrisin prodhimin e papërpunuar të Brazilit deri në 75% nga 1.221 milion fuçi në ditë këtë vit në 2.123 milion bpd deri në vitin 2030, parashikoi më parë grupi i kërkimit dhe këshillimit ‘Wood Mackenzie’.

Kompanitë kryesore ndërkombëtare të naftës si Shell, Equinor, TotalEnergies, Repsol Sinopec Brasil S.A. dhe Petrogal pritet të jenë ndër prodhuesit kryesorë për shkak të partneriteteve të tyre me kompaninë shtetërore Petrobras, sipas Wood Mackenzie.

I eksploruar për herë të parë në 2006 nga Petrobras, rajoni brazilian në fjalë është një rezervë detare e pasur me naftë, e bllokuar nën një shtresë kripe 2000 metra të trashë. Ajo ka tërhequr investime të konsiderueshme nga firmat e mëdha të naftës në vitet e fundit.

Petrobras është vendosur të rrisë prodhimin me një ritëm të përshpejtuar, që do të thotë se prodhimi pritet të rritet me 61% nga 2.15 milionë fuçi në ditë në 3.46 milion fuçi deri në fund të dhjetëvjeçarit.

Vitin e kaluar, kompania braziliane e naftës dhe gazit njoftoi se do të rriste investimet e saj për 2023-2027 me rreth 15% në 78 miliardë dollarë. Kompania planifikon të shpenzojë 64 miliardë dollarë nga kjo shumë për kërkim e prodhim.