Vendosni fjalën kyçe....

Mediet britanike: Si trafikantët shqiptarë po përdorin “Tik Tok”-un për të dërguar emigrantët me kamion për në Mbretërinë e Bashkuar


Mediet britanike kanë zbuluar se si kontrabandistët shqiptaë po e përdorin rrjetin social “Tik Tok” për të dërguar në mënyrë të paligjshme emigrantë në drejtim të Mbretërisë së Bashkuar.

Gazeta “Mirror” shkruan se ata përdorin “Tik Tok”-un për të bërë të mundur kalimin e emigrantëve me kamionë, ku çdo person do të duhet të paguajë 20 mijë paund.

Në këtë rrjet social u gjetën 10 reklama, duke e kthyer në një tallje partneritetin historik midis Britanisë dhe gjigantëve të internetit të SHBA-së.

Një person mburrej duke i ftuar shqiptarët për një shans për të takuar Mbretëreshën dhe një tjetër pretendoi se pasagjerët mund të udhëtonin së bashku me shoferin në rrugët nga Belgjika dhe Spanja.

Në një tjetër postim shkruhej: “Udhëtimi i fundit këtë vit për të takuar Mbretëreshën në Angli. Udhëtim i sigurt brenda kokës së kamionit. 100% i sigurt. Për më shumë DM.” 

Në një postim tjetër në 21 dhjetor, shkruhej: “Udhëtim gati për në Angli për vetëm 24 mijë paund. Udhëtim i sigurt për në Angli para Krishtlindjeve. Na kontaktoni shpejt.”

Ky postim ishte gjashtë ditë pasi Agjencia Kombëtare e Krimit njoftoi marrëveshjet me TikTok, Facebook, Instagram, YouTube dhe Twitter.

Firmat u zotuan për një “bashkëpunim më të madh kundër grupeve të krimit që përdorin internetin për të rekrutuar, komunikuar dhe reklamuar shërbime për migrantët”. Një marrëveshje që erdhi pas ngjarjes së rëndë të 27 migrantëve që u mbytën në një gomone muajin e kaluar.

Ministri i Emigracionit Tom Pursglove duke folur për përdorimin e rrjeteve sociale nga grupet kriminale theksoi se: “Trafikantët e përdorin median sociale për të tërhequr, promovuar dhe përfituar nga kalimet vdekjeprurëse në drejtim të Britanisë së Madhe, por ne jemi të vendosur t’i ndalojmë”.

Familjeve që u përgjigjen reklamave për kalim me kamion u kërkohet të paguajnë me para në dorë. Ata ëndërrojnë për një jetë më të mirë. Por rreziqet janë jashtëzakonisht të larta – siç ishte rasti tragjik i 39 refugjatëve vietnamezë që u mbytën në pjesën e pasme të një kamioni në Essex në vitin 2019.

Kur gazetari i tabloidit “Mirror” u dërgoi mesazh trafikantëve, ata dhanë një numër celular në Mbretërinë e Bashkuar dhe kërkuan 22 mijë paund të paguara në dorë me mbërritjen në Angli.

I pyetur se ku do të takoheshin, trafikanti shkroi: “Bruksel. Atje ku shoferët mbledhin njerëzit.”

Rreth 21 mijë e 365 njerëz u arrestuan pasi hynë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar gjatë vitit deri në shtator.