Vendosni fjalën kyçe....

Kriza bankare në SHBA nuk ka mbaruar – JPMorgan


Trazirat në industrinë financiare të shkaktuara nga kolapsi i Silicon Valley Bank (SVB) nuk kanë përfunduar ende dhe do ndihen për vite me radhë, beson shefi i JPMorgan Chase, Jamie Dimon.

Ai tha në letrën e tij vjetore drejtuar aksionerëve të martën se kjo kthesë e ngjarjeve ka ‘ndryshuar ndjeshëm pritshmëritë e tregut, çmimet e bonove janë rikuperuar në mënyrë dramatike, tregu i aksioneve është në rënie dhe shanset e tregut për një recesion janë rritur’.

Ndërsa vuri në dukje se ngjarjet e fundit nuk janë aspak si ato që ndodhën gjatë krizës financiare globale të vitit 2008, Dimon paralajmëroi se ‘kriza e tanishme nuk ka përfunduar ende dhe edhe kur të jetë pas nesh, do ketë pasoja prej saj për vitet në vijim’.

Kriza e fundit ka ‘provokuar shumë shqetësime në treg dhe do shkaktojë qartë një shtrëngim të kushteve financiare pasi bankat dhe huadhënësit e tjerë bëhen më konservatorë’, sipas shefit të JPMorgan.

Në fillim të marsit, depozitat masive bënë që SVB dhe Signature Bank të dështonin brenda disa ditësh. Një huadhënës i tretë, First Republic, përfundoi duke marrë një ndihmë prej 30 miliardë dollarësh nga bankat kryesore të Wall Street, duke përfshirë JPMorgan, në formën e depozitave.

Huadhënësit e mëdhenj druajnë se First Republic mund të bëhet banka e ardhshme amerikane që do të dështojë. Infektimi u përhap më pas në Evropë, ku Credit Suisse shpejt u gjend në telashe dhe përfundimisht u mor përsipër nga rivalja UBS në një marrëveshje të nxituar të ndërmjetësuar nga banka qendrore e vendit.

Sipas Dimon, stresi mbi bankat rajonale ka bërë që investitorët dhe analistët të sugjerojnë se bankat ‘shumë të mëdha për të falimentuar’ do të ishin përfituese të krizës. Ai tha se JPMorgan dëshiron të forcojë bankat më të vogla për të mirën e të gjithë sistemit financiar.

“Çdo krizë që dëmton besimin e amerikanëve në bankat e tyre dëmton të gjitha bankat, një fakt që dihej edhe para kësaj krize. Ndërsa është e vërtetë se nga kjo krizë bankare përfituan bankat më të mëdha për shkak të fluksit të depozitave që merrnin nga institucionet më të vogla, nocioni se kjo shkrirje ishte e mirë për ta në çfarëdo mënyre është absurd.” – shkroi Dimon.

Ai bëri thirrje për më shumë rregullime në sektorin financiar, duke pretenduar se politikëbërësit duhet të jenë më të kujdesshëm ndaj shtytjes së mundshme të disa shërbimeve financiare ndaj jobankave dhe të ashtuquajturave banka në hije.