Vendosni fjalën kyçe....

Pamjet e reja, çfarë ndodhi përpara se Hu Jintao të përcillej nga Kongresi i Partisë Komuniste Kineze (VIDEO)


Pamje të reja janë publikuar të cilat tregojnë momentet përpara se ish-presidenti kinez Hu Jintao të largohej në mënyrë dramatike nga kongresi i Partisë Komuniste Kineze më 22 tetor.

Në një vend ku ngjarjet janë planifikuar deri në detaje të vogla dhe politika mbulohet me fshehtësi, largimi dramatik i ish-presidentit Hu Jintao çoi në tepricë spekulimesh.

Gjatë daljes, Hu shihet se shkëmben disa fjalë me presidentin Xi Jinping dhe përkëdhel mbi supe kryeministrin Li Keqiang, i ulur në të djathtë të Xi.

Videoja e re e publikuar fillimisht nga Channel News Asia dhe më pas edhe nga media të tjera, tregon me më shumë detaje momentin para largimit.

Anëtari i Byrosë Politike në largim Li Zhanshu, që qëndronte në të majtë të zotit Hu, shihet teksa i heq letrat nga dora zotit Hu, duke i vendosur ato përsëri në tryezë.

Më pas, udhëheqësi aktual i Kinës, Xi Jinping, i jep udhëzime të gjata një burri tjetër, i cili pastaj përpiqet të bindë ish-liderin Hu të largohet.

Të shtunën shumë pyesnin veten nëse largimi i Hu Jintao ishte një pjesë e qëllimshme e teatrit politik. Ndryshe nga Hu, presidenca e të cilit midis 2003 dhe 2013 u pa si një kohë hapjeje me botën e jashtme, Xi ka kryesuar një vend që është bërë gjithnjë e më i izoluar.

Pamjet e reja, nuk e zhvlerësojnë linjën zyrtare se Hu ishte i sëmurë. Por gjithashtu sugjeron se trajtimi i dokumentit që kishte përpara Hu luajti një rol në incident.

Li Zhanshu dukej se do të ngrihej në këmbë për të ndihmuar zotin Hu, por më pas me sa duket u tërhoq përsëri në vendin e tij nga Wang Huning në të majtë të tij.

Ndërkohë Hu i tha diçka presidentit Xi ndërsa po përcillej jashtë, kurse burrat e tjerë të ulur në rresht nuk u kthyen fare kur e nxorrën jashtë.