Vendosni fjalën kyçe....

Xi rizgjidhet si lider i Partisë Komuniste Kineze, votohen planet për rritjen e potencialit ushtarak


Presidenti Xi Jinping u rizgjodh si lider i Partisë Komuniste Kineze (CCP) të dielën, duke ruajtur postin për një mandat të tretë. Kjo do ta bëjë atë udhëheqësin më jetëgjatë të Pekinit që nga Mao Ce Duni.

Xi, i cili tani ka siguruar pesë vite të tjera në pushtet, do ruajë gjithashtu rolin e tij si kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, organi më i lartë i mbrojtjes në krye të Ushtrisë Çlirimtare Popullore.

Udhëheqësi ose Sekretari i Përgjithshëm i CCP si dhe kryetari i Komisionit Qendror Ushtarak, konsiderohen role më të rëndësishme në Kinë sesa ai i presidentit, i cili është kryesisht një pozicion ceremonial. Ai mbahet gjithashtu nga Xi Jinping dhe ai pritet ta ruajë këtë titull vitin e ardhshëm.

Komiteti Qendror zgjodhi gjithashtu anëtarë të Komitetit të ri të Përhershëm të Byrosë Politike, organi më i fuqishëm vendimmarrës i Kinës, i cili përbëhet nga shtatë persona. Së bashku me Xi Jinping, komiteti do përbëhet gjithashtu nga Li Qiang, Zhao Leji, Wang Huning, Cai Qi, Li Xi dhe Ding Xuexiang, të cilët të gjithë përshkruhen si aleatë të presidentit.

Xi prezantoi anëtarët e rinj të Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike ndërsa i prezantoi ata në Sallën e Madhe të Pekinit për t’u takuar me shtypin.

“Dëshiroj të falënderoj sinqerisht të gjithë partinë për besimin që na keni dhënë.” – tha Xi, duke premtuar se ekipi i tij do ‘punonte me zell’ për të provuar se janë ‘të denjë për besimin e madh të partisë sonë dhe popullit tonë’.

Rizgjedhja e Xi erdhi pas një Kongresi të 20-të Kombëtar të CCP që zgjati një javë e që përfundoi në Pekin të shtunën. Delegatët e Kongresit miratuan amendamentet në kushtetutën e saj, të cilat përsëritën kundërshtimin e saj ndaj pavarësisë së Tajvanit dhe konfirmuan planet për të rritur potencialin ushtarak të Kinës.

Ndërkohë, ndërsa Xi siguroi një mandat të tretë të paprecedentë, një incident i pazakontë në seancën përmbyllëse të Kongresit tërhoqi vëmendjen e publikut. Videot e postuara në mediat sociale dukeshin se tregonin ish-presidentin kinez Hu Jintao duke lënë pa dëshirë një takim kyç pasi iu kërkua ta bënte këtë nga dy persona të sigurisë.

Disa media perëndimore raportuan se Hu, i cili me sa duket ishte kundër rizgjedhjes së Xi, ishte ‘përzënë’ nga Kongresi. Megjithatë, media kineze këmbënguli se ish-udhëheqësi ‘nuk ndihej mirë’ dhe duhej të pushonte.

Zyrtari i fundit i Partisë Komuniste që sundoi Kinën për më shumë se dy mandate ishte Mao Ce Duni, i cili shërbeu si kryetar i partisë midis 1943 dhe 1976.