Vendosni fjalën kyçe....

Konfiskimi i kateve pa leje/ Rama: Të shërbejë si mësim për ata që përbaltin papushim emrin tim


Kryeministri Edi Rama thotë se operacioni i konfiskimit të kateve shtesë, duhet të shërbejë si një mësim i mirë për ata që kujtojnë se mund t’ia hedhin me rryshfete e me marifete dhe për ata që “përbaltin” emrin e tij papushim.

“OPERACIONI I KONFISKIMIT të kateve e të metrave shtesë të ndërtuara në shkelje të ligjit e të lejes së ndërtimit, nuk është aspak kujtesë me vonesë siç thonë disa, po është thellim i një lufte që vazhdon prej vitesh me paligjshmërinë në ndërtim, e cila s’ka të krahasuar sot me përmasën e frikshme që kishte dje, kur s’kishte pallat që mos kishte shtesa e prapashtesa të bëra për qëllim fitimi.

Ky operacion do të ketë forcën e një vule përfundimtare mbi fatin e çdo metri katror të ndërtuar në shkelje të ligjit për shitje e fitime përtej kufirit të lejuar nga ligji.

Por ky operacion duhet të jetë edhe një mësim i mirë qoftë për ata që kujtojnë shumë gabimisht se mund t’ia hedhin me rryshfete e me marifete, qoftë edhe për ata që përbaltin papushim emrin tim apo punën e qeverisë dhe bashkisë, duke më asociuar poshtërsisht me fitime imagjinare nga ndërtimet në Tiranë a kudoqoftë.”– shkruan Rama ndërsa shpërndan video-kronikën  e ministrit të brendshëm Bledi Çuçit, i cili zbriti sot në Farkë për konfiskimin  e radhës.