Vendosni fjalën kyçe....

Konfiskimi i ndërtimeve pa leje, ministri Çuçi zbret në terren: Pronarët t’i parablejnë ose dhurojnë


Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka zbritur sot në terren në kuadër të operacionit të ndërtimeve pa leje. Përsëri në Farkë, ministri bashkë me drejtoreshën e IMT-së, Dallëndyshe Bici inspektoi operacionin dhe tha se ky operacion do shtrihet në gjithë vendin.

Çuçi u vendosi pronarëve dy opsione në tavolinë sipas VKM-së më të fundit të qeverisë, ose të parablejnë 1200 metër katrorë shtesë pa leje që kanë ndërtuar ose ta dhurojnë.

Pavarësisht vendimit të pronarëve, ata do të paguajnë gjobën që IKMT i ka vendosur objektit.

“Jemi në zonë  e  Farkës ku grupi verifikues në zbatim të VKM-së së fundit që kemi miratuar për konfiskimin e shtesave dhe ndërtimeve pa leje, ka verifikuar një ndërtesë tjetër që ka 1200 metër katrorë pa leje, shtesa kati. Në zbatim të vendimit të qeverisë, këtij subjekti do ti vihen dy opsione në dispozicion,. E para është të parablejë hapësirën e shtesës së lejes, e çmimin e tregut të indeskuar dhe paratë do shkojnë në dispozicion të Agjencisë së shpronësimeve. Opsioni i dytë është të dhurojë shtesat e katit dhe në këtë rast shkojnë në favor të entit të Banesave për të akomoduar entin social dhe nëse nuk zgjedh asnjë nga këto opsione do konfiskohet për interes publik. Nëse zgjedh opsionet para menjëherë fillon procedura e legalizimit dhe i gjithë objekti shkon për t’u legalizuar. Dhe shpëton nga ndjekja penale. Në të gjitha rastet, edhe në paguan ose parablen gjoba do të paguhet. Kemi nisur nga Tirana se ka intensitetin më të madh të ndërtimit, por do të shtohet mbi të gjithë Shqipërinë. Qëllimi jonë është që të mos kemi më shtesa pa leje.”– tha Çuçi.

Kryeministri Edi Rama i cili publikon videon e Çuçit thotë se ky operacion duhet të shërbejë edhe si një mësim i mirë për ata që kujtojnë se mund t’ia hedhin me rryshfete e me marifete.

“OPERACIONI I KONFISKIMIT të kateve e të metrave shtesë të ndërtuara në shkelje të ligjit e të lejes së ndërtimit, nuk është aspak kujtesë me vonesë siç thonë disa, po është thellim i një lufte që vazhdon prej vitesh me paligjshmërinë në ndërtim, e cila s’ka të krahasuar sot me përmasën e frikshme që kishte dje, kur s’kishte pallat që mos kishte shtesa e prapashtesa të bëra për qëllim fitimi.

Ky operacion do të ketë forcën e një vule përfundimtare mbi fatin e çdo metri katror të ndërtuar në shkelje të ligjit për shitje e fitime përtej kufirit të lejuar nga ligji.

Por ky operacion duhet të jetë edhe një mësim i mirë qoftë për ata që kujtojnë shumë gabimisht se mund t’ia hedhin me rryshfete e me marifete, qoftë edhe për ata që përbaltin papushim emrin tim apo punën e qeverisë dhe bashkisë, duke më asociuar poshtërsisht me fitime imagjinare nga ndërtimet në Tiranë a kudoqoftë.”– shkruan Rama ndërsa shpërndan video-kronikën  e Çuçit.