
Tirana do të kthehet në një qendër të sportit elitar ndërkombëtar të padelit, duke pritur një nga turnetë më prestigjiozë të këtij sporti nga 26 deri më 30 maj.
Eventi do të zhvillohet në Sheshin “Skënderbej”, ku lojtarët më të mirë në botë do të garojnë për pikë të rëndësishme në renditjen e Federatës Ndërkombëtare të Padelit.
Turneu FIP Platinum, niveli më i lartë i CUPRA FIP Tour, përfshin një fond çmimesh deri në 150 mijë euro dhe 300 pikë renditjeje për fituesit.
Organizimi mbështetet nga Komiteti Olimpik Shqiptar, Federata Ndërkombëtare e Padelit dhe Federata Shqiptare e Padelit, si dhe nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Sheshi “Skënderbej” do të shndërrohet në një arenë sportive të hapur, duke sjellë një spektakël ndërkombëtar në zemër të kryeqytetit dhe duke e bërë aktivitetin të aksesueshëm për publikun gjatë gjithë ditëve të turneut.