Vendosni fjalën kyçe....

Bumçi përshëndet vendimet e NATO-s: Ne jemi sot një aleancë më e bashkuar dhe më e fortë


Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike Aldo Bumçi, ka dalë sot në një deklaratë për mediat duke përshëndetur vendimet e rëndësishme të marra në Samitin tre ditor të NATOS-s që u mbajt në Madrid.

Bumçi thotë se PD përshëndet samitin historik të NATO-s dhe ftesën për Suedinë dhe Finlandën për t’iu bashkuar Aleancës.

“Partia Demokratike përshëndet firmosjen e marrëveshjes tripalëshe mes Turqisë, Suedisë dhe Finlandës, që i hap rrugë antarësimit të dy vendeve nordike në NATO.

Me krenarinë dhe përgjegjësinë e qeverisjes që kurorëzoi anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e mbrojtjes kolektive më të sukseshme të globit, Partia Demokratike përshëndet zgjerimin e Aleancës drejt këtyre vendeve mike e demokratike, të rreshtuara qartë në anën e drejtë të historisë.

Fakti që Stokholmi dhe Helsinki i japin fund asnjanësisë së gjatë, është dëshmi e qartë se, pushtimi rus i Ukrainës është një kërcënim alarmues për të gjithë Europën dhe botën.

Si vend i Ballkanit, ku interesat dhe ndikimi rus janë rrezikshëm të pranishëm, Shqipëria duhet të jetë edhe më shumë e vëmendshme ndaj zhvillime të tilla.

Duke përshëndetur vendimin historik për zgjerimin dhe forcimin e NATO-s, dhe si vend anëtar, u urojmë mirëseardhjen Suedisë dhe Finlandës.

Partia Demokratike mbetet mbrojtëse e palëkundur e arkitekturës së sigurisë euro-atlantike dhe e vlerave të saj të patjetërsueshme.”– deklaroi Bumçi, i cili ka shërbyer si ministër i Jashtëm në qeverisjen e PD-së.