
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si një “mister të gëzueshëm” përkimin e avancimit të negociatave të Shqipërisë me Bashkimi Europian me 180-vjetorin e lindjes së Naim Frashëri.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se drita jeshile për çeljen e fazës përmbyllëse të negociatave dhe mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-BE në Bruksel përkon me përvjetorin e rilindësit shqiptar, të cilin e cilësoi si “udhërrëfyesin gjenial të aspiratës sonë shekullore drejt Europës”.
Rama theksoi gjithashtu se Shqipëria synon që në vitin 2030 të jetë pjesë e familjes europiane, ndërsa përvjetori i 130-të i ndarjes nga jeta të Naim Frashërit të shënohet si “Viti Europian i Naimit”.
Nesër, 26 maj në Bruksel do të zhvillohet Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE, ku i pranishëm do të jetë Rama së bashku me një përfaqësi të kabinetit qeveritar. Sipas tij ky hap “vulos me sukses fazën hyrëse dhe çel fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit”.
“Eshtë një mister i gëzueshëm, që drita jeshile për çeljen e fazës mbyllëse të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkim Europian, të vezullojë në harkun e 180-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit, udhërrëfyesit gjenial të aspiratës sonë shekullore drejt “Diellit që lind andej nga perëndon”.
Me mirënjohje të madhe e kujtojmë në këtë 25 maj “Shqipëribërësin” e madh dhe të pavdekshëm, duke e thirrur Orën e Mirë të shpirtit të tij për ditët e mira që paskëtaj vijnë për kombin e për shtetin tonë.
Me punën tonë të përbashkët, nën dritën e amanetit të tij dhe rilindësve tanë, e me ndihmën e Zotit Shqipëria 2030, do ta kurorëzojë atë vit të 130-vjetorit të vdekjes së Naim Frashërit si Vitin Europian të Naimit, vitin e “Diellit që lind andej nga perëndon”. Dhe nëse siç tha Konica, kur u shtie në dhé Naimin e përcollën 300 shqiptarë, në Shqipërinë 2030 Shqipëribërësin e madh do ta kremtojë të gjallë një popull i tërë, i bërë njësh me familjen e Europës së Bashkuar
Javë të mbarë”