Vendosni fjalën kyçe....

Kremlini i krahason forcat ukrainase në Azovstal me terroristët


Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i ka krahasuar kushtet për evakuimin e civilëve që supozohet se po kryhet nga trupat ukrainase të rrethuara në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol me kërkesat e bëra më parë nga terroristët në Siri.

“Sa i përket kërkesave të ngjashme të nacionalistëve që fshihen në ambientet nëntokësore të uzinës, atëherë, natyrisht, ato janë shumë të ngjashme me kërkesat që më parë ishin shprehur nga terroristët në Siri dhe vende të tjera.”-  tha zëdhënësi presidencial Dmitry Peskov.

Ky reagim i Peskov vjen pas raporteve se forcat ukrainase të strehuara në uzinë donin të shkëmbenin civilët e mbajtur atje për ushqim dhe ilaçe.

Ky pretendim u bë më herët për agjencinë ruse të lajmeve Ria Novosti nga një përfaqësues i paidentifikuar i Komandës Ruse, i ngarkuar me operacionin në fabrikën e madhe Azovstal.

Zyrtari u tha gazetarëve se “ne kemi parë metoda të tilla më parë, për shembull në Siri”, ku terroristët gjithashtu u përpoqën të shkëmbenin njerëzit me ushqim. Sipas raportit të Ria Novosti, “më shumë se 200 civilë, duke përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar mund të mbahen në tunelet dhe bunkerët e nëndheshëm të Azovstal”.

Vyacheslav Volodin, i cili është kryetar i Dumës Shtetërore të Rusisë, komentoi gjithashtu raportin të enjten. Në postimin e tij në Telegram, ai pretendoi se “militantët në Azovstal kishin sugjeruar shkëmbimin e civilëve të mbetur atje për ushqim dhe ilaçe”. Volodin zbuloi gjithashtu kushtet e marrëveshjes së supozuar: “pesëmbëdhjetë pengje për një ton ushqim, si dhe ilaçe”. Ai shtoi gjithashtu se trupat ukrainase gjoja “paralajmëruan se nuk do të lironin më askënd në Ukrainë“, por do t’i shkëmbenin me mallra.

Politikani rus akuzoi forcat ukrainase se fillimisht kishin joshur civilët në fabrikën e çelikut, për t’i përdorur më vonë si mburojë njerëzore dhe tregti për ushqim. Sipas Volodin, trupat e rrethuara pro-Kievit barazuan në mënyrë efektive një jetë njerëzore me 66.6 kilogramë mallra. Zyrtari rus pretendoi se luftëtarët ukrainas ishin të interesuar vetëm për të shpëtuar lëkurën e tyre.

Ai e përshkroi këtë sjellje si tipike për “terroristët“.