Vendosni fjalën kyçe....

OBSH: Vdekjet e vërteta nga Covidi në botë janë afro 15 milionë


Pandemia e Covid-19 ka shkaktuar vdekjen e afro 15 milionë njerëzve në mbarë botën, vlerëson Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Kjo është 13% më shumë vdekje sesa pritej normalisht gjatë dy viteve, shkruan BBC.

OBSH beson se shumë vende nuk raportuan numrin e saktë të të vdekurve nga Covid – pasi vetëm 5.4 milionë u raportuan.

OBSH thotë se në Indi kishte 4.7 milionë vdekje nga Covidi , rreth 10 herë më shumë se shifrat zyrtare dhe pothuajse një e treta e vdekjeve nga pandemia në nivel global.

Qeveria indiane megjithatë e ka vënë në dyshim vlerësimin, duke thënë se ka “shqetësime” për metodologjinë e përdorur, por dhe studime të tjera kanë arritur në përfundime të ngjashme në lidhje me shkallën e vdekjeve në vend.

OBSH tha se shumica e 9.5 milionë vdekjeve shtesë mbi 5.4 milionë vdekjet e raportuara nga Covid mendohej se ishin vdekje të drejtpërdrejta të shkaktuara nga virusi, sesa vdekje indirekte.

Duke folur për shkallën e shifrave, Dr Samira Asma, nga departamenti i të dhënave të OBSH-së, tha: “Është një tragjedi. Është një shifër marramendëse dhe është e rëndësishme për ne që të nderojmë jetët e humbura, dhe ne duhet të mbajmë përgjegjës politikëbërësit.”

“Nëse nuk numërojmë të vdekurit, do të humbasim mundësinë për të qenë më të përgatitur për herën tjetër.”-shtoi ajo sipas BBC.

Krahas Indisë, vendet me numrin më të madh të vdekjeve shtesë përfshijnë Rusinë, Indonezinë, SHBA-në, Brazilin, Meksikën dhe Perunë, sugjerojnë shifrat e OBSH-së. Shifrat për Rusinë janë tre herë e gjysmë më shumë se vdekjet e regjistruara në vend.