Vendosni fjalën kyçe....

Mblidhen mbështetësit e Salianjit, akuza kupolës së PD-së


Mbështetësit e lëvizjes së Ervin Salianjit kanë akuzuar kupolën e PD-së për gjendjen e opozitës dhe humbjen e njëpasnjëshme të zgjedhjeve.

Hysen Kadiu, i cili doli kandidati më i votuar në primaret e PD-së por nuk u përzgjodh si kandidat në zgjedhjet e 11 majit, tha se lëvizja e Salianjit synon që ta kthejë PD-në në fituese.

“Ne nuk fshihemi pas të qenit të vendosur, për të ndryshuar PD-në. Ne mund ta bëjmë PD-në një parti fituese. Ne mund ta ringjallim, ririthemelojmë PD-në. Por sot nga ky shesh një gjë e themi të sigurt bashkarisht: ‘ne nuk do ta lejojmë të vdesë’. Kundërshtojmë këtë realitet të pashpresë. Edhe kur na kanë sulmuar, sërish nuk jemi dorëzuar. Sepse ne jemi vërtetë PD. Dy gjëra nuk i pranojmë, të na tallin, apo të heqim dorë. Le të shërbejë ky takim si kilometri i parë i nisjes për demokratizimin e familjes sonë”, tha mes të tjerash Kadiu.

Ata lëshuan akuza ndaj krerëve të PD-së teksa thanë se u ishte hequr e drejta e votës dhe se anëtarësia nuk po dëgjohej.

Folësit kërkuan garanci që listat të mos manipulohen më dhe që në garë për marrin pjesë vetëm ata që e meritojnë.