Vendosni fjalën kyçe....

Ndahet nga jeta Camilo Guevara, djali i revolucionarit marksist Ernesto “Che” Guevara


Ndahet nga jeta Camilo Guevara March, djali 60-vjeçar i liderit revolucionar me origjinë argjentinase, Ernesto “Che” Guevara.

Zyrtarët kubanë thanë se ai vdiq nga një atak në zemër të shkaktuar nga mpiksja e gjakut në mushkëri, shkruan BBC.

Camilo Guevara i kushtoi një pjesë të madhe të karrierës së tij dokumentimit të jetës së babait të tij, i cili luftoi përkrah Fidel Kastros në revolucionin kuban.

Ai kundërshtoi përdorimin e imazhit të babait të tij për qëllime marketingu. Camilo është një nga katër fëmijët që Che Guevara kishte me gruan e tij të dytë, Aleida March.

Ndërsa motra e tij më e madhe Aleida mori rolin si zëdhënëse e familjes, Camilo drejtoi Qendrën e Studimeve Che Guevara në kryeqytetin kuban, Havana.

Qendra, ku ruhen arkivat personale të Che Guevarës, promovon “jetën, punën dhe mendimin” e liderit revolucionar. Zyrtarët kubanë thanë se Camilo Guevara vdiq gjatë një vizite në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas.

Presidenti kuban Miguel Díaz-Canel e nderoi atë në një postim në Twitter, duke thënë se “me pikëllim të thellë, i themi lamtumirë Camilo, djalit të Che dhe promovuesit të ideve të tij”.

I lindur në Argjentinë, Che Guevara pa dyshim u bë fytyra më e famshme e revolucionit kuban pasi iu bashkua vëllezërve Fidel dhe Raul Castro në luftën e tyre të suksesshme për të përmbysur qeverinë e Fulgencio Batista.

Camilo Guevara ishte i dyti nga katër fëmijët e lindur nga Che Guevara dhe gruaja e tij e dytë, Aleida March.

Ai ishte pesë vjeç kur babai i tij u qëllua për vdekje në Bolivi, ku kishte udhëtuar për të ngritur një grup gueril. Ai studioi drejtësi, por kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij duke u kujdesur për dokumentet dhe reliket e lëna pas nga babai i tij.

Ndryshe nga disa nga të afërmit e ngushtë të Fidel Castros që u bënë kritikë të zëshëm të pasojave të revolucionit kuban, si motra e tij Juanita Castro dhe vajza e tij Alina Fernández, Camilo Guevara mbeti besnik ndaj vëllezërve Kastro.